Brukseli, paralajmërim të ri për vizat

30/11/2010 08:35

Belgjika, vendi që mban Presidencën e radhës së Bashkimit Europian, paralajmëroi dje Shqipërinë se është në monitorim për sa i përket mënyrës sesi do të zbatojë procesin e liberalizimit të vizave.

Sinjali erdhi dje nga ministri i Emigracionit të Belgjikës, Melchior Wathelet, i cili i bëri thirrje qeverisë të vijonte procesin e informimit të qytetarëve për sa u përket detyrimeve që kanë karshi palës europiane në këtë proces.

“Fushata informative duhet të vazhdojë atje, kurse ne do ta ndjekim me kujdes heqjen e vizave, në mënyrë që çdo gjë të shkojë mirë. Autoritetet shqiptare duhet të informojnë siç duhet popullatën, por, nga ana tjetër, qytetarët duhet ta kuptojnë mirë se çfarë është ky liberalizim vizash”, theksoi ministri belg i Emigracionit.

Sipas tij, pala shqiptare duhet të ketë kujdes të madh për të mos lejuar që qytetarët shqiptarë të “gënjehen” dhe të bien viktima të atyre që mund t’u premtojnë punësim në vendet e Bashkimit Europian.

Sipas Melchior Wathelet, nëse të tilla situata ndodhin, atëherë këta njerëz do të kthehen menjëherë në vendin e tyre.

“Tani është radha e Shqipërisë dhe e shqiptarëve për të bërë të njëjtën gjë, të respektojnë këtë pakt mes nesh. Kjo do të thotë që njerëzit të mos vijnë në Europë për të abuzuar, për të kërkuar azil apo për të punuar, për të rënë viktimë e atyre që thonë hajdeni se atje ka para, strehim punë etj. Nëse do të ketë njerëz që do ta përdorin heqjen e vizave për këtë qëllim, ata duhet ta dinë më parë se do të kthehen në vendin e tyre”, bëri të qartë ministri belg, duke lënë të kuptohej se do të ketë kontroll të rreptë për shqiptarët që do të kalojnë kufirin.

Top Channel