
Statistikat thonë që Real Madrid fiton shumë herë më pak nën drejtimin e arbitrit Iturralde Gonzalez në krahasim me Barcelonën dhe këtë gjë Mourinho e vë në dukje në konferencën e shtypit para Klasikes së sotme.
“Do të luajë i njëjti ekip që luan përherë!” Këto kanë qenë fjalët e para të trajnerit të Real Madrid, Jose Mourinho, në konferencën për shtyp para ndeshjes së sotme Barcelona-Real Madrid.
Ndeshja e sotme vë përballë dy ekipet më të mira në Botë sipas Mourinho: “Janë dy ekipe të cilat kanë lojtarë të jashtëzakonshëm dhe kanë të gjitha mundësitë që të shihet një ndeshje e madhe. Shpresoj që pas ndeshjes të flitet vetëm për futbollin që u luajt në fushë dhe për gjërat e mira të ndeshjes.”
Gjithsesi, portugezi nuk e konsideron ndeshjen decisive: “Është ndeshje e rëndësishme si të gjitha të tjerat. Pas ndeshjes me Barcelonën do të luajmë edhe 25 ndeshje të tjera, pra ka shumë pikë në lojë të cilat duhen fituar dhe jo vetëm trepikëshi në Camp Nou.”
Arbitri i ndeshjes do të jetë Iturralde Gonzalez, me të cilin Barcelona ka pasur gjithmonë sukses, ndërsa Real Madrid ka pasur shumë rezultate negative.
“Barcelona është e lumtur që arbitri që do drejtojë këtë ndeshje është Iturralde, Real Madrid jo shumë. Faktet janë fakte, mund t’i shikojnë të gjithë, por unë kam besim se arbitri do bëjë punë të mirë dhe jam i gatshëm, sëbashku me lojtarët, t’ia bëj punën më të lehtë, jo t’i vështirësoj gjërat në fushë”, përfundoi Mourinho.
Top Channel