Nata e Bardhë në kryeqytet

28/11/2010 15:45

Kryeqyteti i shqiptarëve, ditën e hënë do të shëndrrohet në një arenë festive.

Për të shtatin vit radhazi Bashkia e Tiranës do të organizojë “Natën e Bardhë” duke i dhënë një tjetër dimension kulturor dhe sportiv metropolit.

Pas ekspozitave dhe koncerteve për fëmijë e të rritur, në mbrëmje do të organizohet një koncert i madh, i cili do të zhvillohet në urën e madhe të Bulevardit e ku për 7 orë do të  përformojnë grupet më të njohura artistike folklorike nga zona të ndryshme të Shqipërisë.

Edhe këtë vit Bashkia e Tiranës do të hapë dyert, duke i dhënë mundësi çdo qytetari të vizitojë bashkine dhe të takojë kryebashkiakun Rama.

“Kjo festë do të ketë aktivitete për të gjitha grupmoshat dhe shijet, që nga fëmijët, me skenën dedikuar tërësisht atyre, e deri tek karaokja, koncerte të ndryshme dhe aktivitete sportive. “Përqafomë” do të jetë sërish pjesë e aktiviteteve të kësaj mbrëmjeje, të rinjtë të rrjetit rinor do të kenë veshur bluza kushtuar këtij aktiviteti dhe mos u çudisni nëse do të vijnë dhe do t’u përqafojnë. Skena më e re do të jetë e ngritur tek ura e re e ish-bllokut dhe do të zhvillohen disa ekspozita”, deklaroi drejtoresha për Marrëdhëniet me Publikun në Bashkinë e Tiranës, Joana Bushi.

Për të organizuar dhe zhvilluar këto aktivitete Bashkia e Tiranës i ka dërguar një shkresë Drejtorisë së Policisë që të marrë të gjitha masat për të ndaluar qarkullimin i automjeteve nga ora 15 e deri në mbrëmje në disa rrugë të Tiranës.

Bashkia e Tiranës ka njoftuar se do të ndalohet qarkullimi në    Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” (nga sheshi “Skënderbej deri tek sheshi “Nënë Tereza”), në një pjesë e rrugës (“Dëshmorët e 4 Shkurtit” (nga “Bajram Curri” deri tek kryqëzimi me rrugën “Abdyl Frashëri”) si dhe në Urën e Re me harqe e ish-Bllokut.

Top Channel