Energjia, ekspertët: Rritja e paargumentuar

28/11/2010 15:25

Ekspertët i quajnë kërkesat e kompanive energjetike për rritje të çmimit si absurde në kushtet kur rezervat hidrike të vendit ndodhen në nivelin më të mirë historik.

Gjergj Simaku thotë se argumentat mbi të cilën po kërkohet rritja janë pa baza.

“Nuk diskutohet mbi atë se ne kemi kaq punonjës do t’i paguajmë kaq, kaq është inflacioni, kemi shpenzime të kësaj natyre. Në fund fare del që ka vetëm shpenzime”, shprehet eksperti i energjisë, Gjergj Simaku.

Në çdo fund viti të treja kompanitë e sistemit energjetik kërkojnë zyrtarisht rritje të çmimit, dhe gjithmonë argumenti është ai i përafrimit të tarifave me kostot.

“Nuk e di dhe nuk mund ta di asnjëherë se sa ka qenë kostoja e energjisë elektrike. Mbi bazën e kujt kostoje është kërkuar rritja e energjisë elektrike?! Këtu nuk flitet me terma kosto dhe tarifë por flitet vetëm në favor të tarifave dhe po ta vini re, gjithmonë arsyetimet e mëparëshme të krizave të energjitikës kanë qenë që tarifa nuk e arrin koston. Tani jemi në një tarifë, por kush është kostoja?!”, shtoi më tej Simaku.

Tregu i energjisë, që u shndërrua nga monopol shtetëror në privat, vazhdon të shfaqë të njëtat probleme, edhe pas privatizimit.

“CEZ nuk ka arritur akoma objektivat që ka vendosur më parë, pra reduktimin e humbjeve që të ishte në përputhje të plotë me kërkesën që ka bërë për rritjen e çmimit të energjisë elektrike. Ata nuk kanë realizuar shmangien e humbjeve jo teknike, pra të vjedhjeve. Ata që vidhnin para privatizimit edhe sot e kësaj ditë vjedhin”, deklaroi eksperti Simaku.

Të treja kompanitë e sistemit energjetik kanë kërkuar rritje të fortë të çmimit, i cili aktualisht është 9.5 lekë për kilovat për orë.  

Top Channel