Dilemat për Ditën e Çlirimit

28/11/2010 15:00

Kur debati për ditën e çlirimit të vendit ka mbetur një vijë ndarëse mes dy fronteve politike që janë përplasur jo pak herë për 28 dhe 29 nëntorin, nga Shkodra, qyteti nga i cili gjermanët edhe janë larguar, vijnë dëshmi të reja.

Pikërisht në 28 nëntor në këtë qytet pushtuesit gjermanë kanë kryer jo pak masakra duke ekzekutuar shumë qytetarë shkodranë.

Një prej familjeve që është vrarë nga gjermanët pikërisht me 28 nëntor është ajo Berberi, katër anëtarë të së cilës u ekzekutuan në lagjen Mëhalla e Çakajve.

Top Channel ka mundur të sigurojë edhe çertifikatat e vdekjes të kësaj familje, që siç duket mbajnë pikërisht datën 28 nëntor. Ky fakt tregon se në këtë ditë Shkodra ende nuk ishte e çliruar nga forcat gjermane, të cilët ishin me të vërtetë në ikje e sipër, por gjithësesi nuk kishin dalë nga territori shqipëtar.

Kjo është edhe fotoja në të cilën duken trupat e katër pjesëtarëve të familjes Berberi të cilet nxirren nga banesa e tyre, në ceremoninë e varrimit zhvilluar një ditë më pas. Pra më 29 nëntor.

Në të njëjtën kohë në datën 28 nëntor në mbrëmje në Shkodër është hedhur në erë edhe një depo municionesh në lagjen Perash.

Masakra gjermane e 28 nëntorit është botuar edhe në librin “Portrete dëshmorësh të LANÇ në Shkodër, ku jepen detaje me vrasjen e familjes Berberi. Sipas dokumentave që zotëron organizata e LANÇ në Shkodër natën e 28 nëntorit janë vrarë gjithësej 7 persona, dhe janë plagosur tre të tjerë.

Top Channel