
Në të shtunën e katërt të organizimit të eventeve kundra shembjes së piramidës nga grupi “Tirana për piramidën”, është çelur një ekspozitë me foto që paraqisin një rezyme të aktiviteteve të zhvilluara nga ky grup. Paralelisht me ato, po mblidhen edhe firma të qytetarëve në mbrojtje të Piramidës.
“Ne nuk jemi thjesht të atashuar tek ideja e piramidës si godinë, por tek gjithë hapësira publike dhe kultuara e të shijuarit të hapësirës publike që ajo përfaqëson dhe një nga qëllimet tona është ta rivitalizojmë këtë hapësirë, të tregojmë që edhe me kontribut minimal e me vullnet gjërat mund të arrihen dhe qytetarët të sensibilizohen. Në tre javë kemi mbledhur 3 mijë kontakte me një aktivitet të përqendruar kryesisht tek e shtuna”, u shpreh Florian Hasko, pjesëtar i grupit “Tirana për piramidën”.
Sipas pjesëtarëve të grupit “Tirana për piramidën”, në ditët në vijim ata do të bëjnë një kërkesë pranë KQZ-së për një referendum vendor, për t’u mundësuar qytetarëve të Tiranës shprehjen e lirë të vullnetit të tyre për prishjen ose jo të Piramidës.
Top Channel