
Tre aksidente të rënda automobilistike me dy të vdekur dhe një të plagosur rëndë kanë ndodhur në Durrës e Kavajë në një hark të shkurtër kohor. Ngjarjet rrugore kanë ndodhur brenda harkut kohor të 30 minutave, pas orës 5 të pasdites së të shtunës.
Ngjarja e parë ndodhi në afërsi të Urës së Dajlanit, në superstradën Tiranë-Durrës ku një grua e moshuar, ende e paidentifikuar mbeti e vdekur pas përplasjes me një furgon mallrash me targa të Kuçovës që drejtohej nga 24 vjeçari Edmir Skuraj i cili është ndaluar nga shërbimet e policisë rrugore.
Viktima është përplasur me furgonin pasi ka kapërcyer trafikndarësen për të kaluar në anën tjetër të superstradës.
Ndërkaq një tjetër këmbësor ka mbetur i vdekur në Kavajë, pas përplasjes nga një automjet që është larguar me shpejtësi duke përfituar nga errësira. I vdekur nga përplasja ka mbetur shtetasi Hamit Çelpeza, 64 vjeç nga Kavaja.
Një aksident i ngjashëm me atë të Kavajës ka ndodhur vetëm pak minuta më pas në Nishtulla të Durrësit, në afërsi të Gjykatës së Apelit. Nga goditja që ka marrë prej një automjeti të paidentifikuar është plagosur rëndë Gëzim Hasa, 50 vjeç nga Rrashbulli.
Në tre vendngjarjet kanë mbërritur forca të policisë rrugore të cilat kanë kryer veprimet e para dhe po hetojnë për të identifikuar dy mjetet dhe drejtuesit e tyre që braktisën këmbësorët e goditur dhe vendin e ngjarjes.
Top Channel