Tregtia, ekonomia humb 27 miliardë lekë

26/11/2010 08:35

Nuk ka të ndalur thellimi i deficitit tregtar, i cili vijon të mbetet në shifra të larta edhe në muajin tetor.

Instituti i Statistikave (INSTAT) raportoi dje shifrat e tregtisë me jashtë, ku rezulton një humbje për ekonominë shqiptare në nivelin e rreth 27 miliardë lekëve.

Sektorët e prodhimit të energjisë dhe mineraleve kanë mundur të japin efekte pozitive në bilancin tregtar, duke zbutur nivelin e deficitit për muajin tetor.

Konkretisht, eksportet regjistruan një vlerë mallrash prej 14 miliardë e 456 milionë lekësh, me një rritje me 5.1 për qind në krahasim me shtatorin dhe rritje me 50 për qind në krahasim me tetor 2009, pra me një vit më parë.

Sa u takon importeve, niveli i tyre shënoi shumën e 41 miliardë e 466 milionë lekë mallra me rritje 1.2 për qind në krahasim me një muaj më parë dhe me rritje 10.5 për qind në krahasim me tetorin e vitit të kaluar.

Në këto kushte, deficiti tregtar i muajit tetor është rreth 27 miliardë lekë, duke shënuar një ulje prej 0.8 për qind krahasuar me muajin paraardhës dhe një ulje prej 3.2 për qind krahasuar me tetor 2009.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta