Pakistan, bllokohet komploti vetëvrasës

26/11/2010 12:35

Policia pakistaneze ka parandaluar dy atentate vetëvrasëse që kishin si objektiv një xhami dhe një ndërtesë qeveritare në Islamabad.

Sipas autoriteteve lokale, njëri nga atentatorët, që kishte veshur një jelek me eksploziv, do të hidhej në erë në xhami në momentin e lutjeve.

Ministri i Brendshëm pakistanez, Rehman Malik ka deklaruar se xhamia e shënjestruar ndodhet në një lagje tregtare, e cila është gjithmonë e populluar.

Ndërsa objektivi tjetër, po sipas ministrit, ishte Parlamenti dhe ndërtesat përreth tij.

“Ne kemi parandaluar një komplot për të sulmuar Parlamentin, zyrat e tjera pranë tij dhe një xhami. Gjithashtu, kemi arrestuar dy militantë”, ka deklaruar Malik.

Ministri ka saktësuar më tej se xhamia e shënjestruar ndodhet në zonën F8-1, në të cilën banojnë shumë pakistanezë të pasur dhe diplomatë perëndimorë.

Top Channel