Lala lufton për një fanellë titullari

26/11/2010 12:30

Gjatë seancave stërvitore të këtyre ditëve, Altin Lala po lufton për të siguruar një vend titullari në ndeshjen e fundjavës që Hanoveri do të luajë me Frajburgun.

Pezullimi i Serxho Pintos për shkak të kartonëve, cilësohet si shansi i 35-vjeçarit shqiptar që të kthehet në fushë në formacionin bazë, për herë të parë që prej muajit mars. Konkurrenti direkt i kapitenit të përfaqësueses shqiptare është 22-vjeçari Lars Stindl.

“Së fundmi kam luajtur 90 minuta në miqësoren që përfaqësuesja shqiptare zhvilloi me Maqedoninë. Ndihem mirë fizikisht dhe mendoj se mund ta përballoj edhe në Bundesligë aktivizimin gjatë gjithë ndeshjes. Gjithsesi ka ende kohë deri në fundjavë”, ishte deklarata e matur e mesfushorit me tipare mbrojtëse.

Gjatë këtij sezoni, Lala është aktivizuar si zëvendësues në dy ndeshjet e kampionatit me Maincin dhe Hamburgun, duke u ngjitur në kuotën e 167 paraqitjeve në Bundesligë. Ai ka qëndruar në fushë vetëm për pak minuta, periudhë gjatë së cilës nuk ka pasur asnjë kontakt me topin.

Top Channel