
Kryeministri Berisha e cilësoi projekt-buxhetin e 2011-ës si projekt-buxhetin e qytetarëve i cili sipas tij do të rrisë me 5 deri në 10 përqind pensionet dhe do të ndërtojë 2 mijë kilometra rrugë të asfaltuara.
Kryeministri replikoi pas fjalës së deputetit socialist Ditmir Bushati, i cili kritikoi projekt-buxhetin duke e cilësuar atë si buxhetin e varfërisë së shqiptarëve.
“Buxheti është i qytetarëve. Pensionistët do të marrin të paktën 5-10 përqind më shumë pensione, do të asfaltohen 2 mijë kilometra rrugë të reja. Bëmë universitetet masive dhe 3 fishuam numrin e studentëve. Ka papunësi, por si asnjë vend tjetër kemi të regjstruar rishtas në skemën e sigurimeve shoqërore 42.300 punonjës nga të cilët një pjesë kanë dalë nga informaliteti, por së paku 30 mijë janë vende pune të reja”, tha Berisha.
Ndërkohë në fjalën e tij deputeti socialist, Taulant Balla pasi kritikoi projekt-buxhetin akuzoi kryeministrin Berisha se po mban ekonominë shqiptare peng të oborrit të tij.
“Berisha është pengesa e fundit komuniste në rrugën europiane të Shqipërisë. Sot themi me përgjegjësi se asgjë nuk do na ndalë pa bërë transparencën e babëzisë së pandërprerë të Sali Berishës. Pas 3 ditësh është festa kombëtare, por ambasadat tona nuk do të organizojnë festime sepse me urdhër të Berishës do të shkojnë në xhepat e Ciljetës, Zajminës e këngëtarëve të tjerë”, u shpreh Balla.
Më tej seanca vijoi me akuza e kundërakuza mes deputetit Balla, kryetares Topalli dhe kryeministrit Berisha.
Top Channel