Taksat që paguajmë për blerjet jashtë

25/11/2010 08:15

U desh vendimi për liberalizimin e vizave që dogana të kujtohej për të sqaruar procedurat e kalimit në kufi dhe detyrimet e udhëtarëve për blerjet jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë.

Administrata doganore njoftoi dje për udhëzimin që duhet ndjekur dhe detyrimin që i takon udhëtarit të paguajë në momentin e mbërritjes në kufirin shqiptar.

E rëndësishme është që të kihet parasysh fakti i moskalimit të vlerës së mallit përtej 30 mijë lekëshit, pasi mbi të duhet paguar një tarifë doganore 2 për qind mbi vlerën e produktit.

Drejtoria e Përgjithshme e Doganave thotë se VKM nr. 205, datë 13.4.1999 “Për Dispozitat Zbatuese të Kodit Doganor”, neni 506, 507, 508 ka vendosur normativa në lidhje me kufirin e pataksueshëm për mallrat e ndodhur në bagazhin personal të udhëtarëve.

Këto dispozita përcaktojnë se përjashtimi jepet për një shumë prej 30.000 lekësh për çdo udhëtar.

Për udhëtarët nën 15 vjeç kjo shumë reduktohet në 15.000 lekë. Gjithashtu, këto dispozita përcaktojnë kufirin e pataksuar sasior për çdo udhëtar për një grup të veçantë mallrash që janë pijet alkoolike, cigaret dhe parfumet. Për këto produkte janë vendosur norma të caktuara sipas peshës dhe sasisë.

Në listën e produkteve me vlerë të konsiderueshme futen edhe ilaçet, sasia e të cilave duhet të jetë brenda nevojave të lejueshme. Për të katërtat lloje produktesh, nuk do të bëhen përjashtime sikurse u përmend më lart në varësi të moshës së udhëtarit, pra nuk do t’u lejohen udhëtarëve që nuk kanë mbushur moshën 18 vjeç.

Gjithashtu, dogana sqaron se mallrat e ndodhur në bagazhin personal të udhëtarëve që vijnë nga një vend tjetër, lejohen duke përfituar përjashtim nga detyrimet e importit, me kusht që këto importe të mos kenë natyrë tregtare. Pra, bëhet fjalë vetëm për blerjet për qëllime personale.

Administrata doganore thotë se informacioni, pjesë e legjislacionit doganor hartuar me asistencën e Bashkimit Europian, prej shumë vitesh është i disponueshëm për të gjithë udhëtarët që hyjnë në Shqipëri.

Top Channel