
Studentët e Fakultetit të Mjekësisë janë tepër të nervozuar. Shqetësimi i tyre nuk janë vetëm vështirësitë e profesionit, problemet gjatë viteve të studimit apo pengesat e përditshme.
Pengesë në jetën e tyre është bërë edhe indiferenca e profesorëve, e pedagogëve të cilët duke qenë të punësuar, duke pasur punë pafund në klinika e qendra shëndetësore, publike e private bashkë, nuk kanë kohë e madje u mungon edhe dëshira për të dhënë mësim në Fakultetin e Mjekësisë.
Ky fakultet, sipas studentëve, ka shumë e shumë probleme, duke nisur nga infrastruktura, librat, hapësira e bibliotekës tanimë është zëvendësuar me 20 kafet rreth e qark fakultetit.
Ndërkohë që nga mungesa e seriozitetit e për shkak të neglizhencës në përgatitjen e mjekëve të ardhshëm, sot studentët e mjekësisë ndihen inferiorë e tepër të dobët me kolegët e tyre në Europë e më gjerë.
Dje këshilli studentor i Fakultetit të Mjekësisë, me në krye studentët e vitit të pestë, që kanë edhe më shumë shqetësime, kanë dalë publikisht në një konferencë për shtyp duke renditur problemet e shqetësimet e tyre, të cilat janë dërguar edhe në adresë të dekanatit, rektoratit, Komisionit të Shëndetësisë e madje edhe në postën e Kryeministrisë.
Studentët e mjekësisë shpresojnë të zgjidhin hap pas hapi, kohë pas kohe problemet e tyre bazike e për përmirësimin e mëtejshëm të kushteve në këtë fakultet, për t’i garantuar më pas Shqipërisë, mjekë të aftë, kërkim shkencor, ndryshim të mentalitetit, progres e prosperitet.
Sipas tyre kryesorja është të rindizet zjarri i profesorëve për t’u paraqitur në orën e mësimit, përmirësim të konkursit të specializimeve, shtim të gamës së librave në bibliotekë e më shumë bashkëpunime praktike me spitalet universitare kombëtare e ndërkombëtare.
Top Channel