
Ashtu si dhe gjatë paradites, kryetari i grupit parlamentar të PS Gramoz Ruci, ka replikuar me kryeministrin Berisha lidhur me buxhetin e vitit 2011.
Gjatë fjalës së tij, Ruci ka akuzuar Berishën se po përpiqet të devijojë vëmendjen nga buxheti duke hedhur akuza ndaj opozitës.
“Kryeministri në vend që të prezantojë buxhetin, sulmon opozitën dhe kreun e saj. Kjo ndodh vetëm me këtë kryeministër. Asnjë fjalë për gjithë ato shqetësime. Ti erdhe me vonesë, mbase sepse tani u ngrite nga gjumi, dhe kërkove fjalën në orën e lajmeve, sepse doje të dilje live”, ka deklaruar Ruci duke iu drejtuar kryeministrit.
Ai ka akuzuar gjithashtu kreun e qeverisë se, pasi ka marrë peng vendin përmes vjedhjes së votave, po përpiqet të marrë peng edhe opozitën, tentativë që sipas tij nuk do të realizohet kurrë.
“Ti erdhe të anatemosh dhe të gjunjëzosh deputetët e opozitës. Por gabohesh, nuk do t’ia arrish. Vërtet ke marrë peng qeverinë, institucionet, zgjedhjet, por s’do ta marrësh dot peng opozitën. Harroje këtë. 60 burra dhe gra që ke përpara do të të lënë pa gjumë me grevë urie dhe fjalime. Do t’i kesh ballë për ballë”, është shprehur Ruci.
Top Channel