Rama: Urrejtja ndaj opozitës bllokon ndërtimet

25/11/2010 23:05

Kreu i Partisë Socialiste dhe Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama edhe njëherë tjetër fajësoi policinë rrugore për paralizën që u krijua në Tiranë pasditen e së hënës. Sipas Ramës, policia u përdor politikisht nga Ministria e Brendshme dhe se semaforët janë fikur qëllimisht.

Rama fillimisht komentoi akuzat e kryeministrit Berisha për veshjet e tij. Ai tha se të gjithë njerëzit që e njohin nga afër e dinë mirë se si vishet. Ai la të kuptohej se gjithçka ishte një sajesë politike e kryeministri Berisha.

“Që policia është udhëhequr në rrugë të gabuar nga Ministria e Brendshme tani nuk e fsheh dot as vetë Ministria e Brendshme. Kanë ndodhur disa gjëra radhazi që kanë sjellë atë ngjarje, fikja me çelës e semaforit të rrugës së Elbasanit dhe atij tek TVSH. Policia Bashkiake nuk është marrë asnjëherë me qarkullimin rrugor, është përdorur si suport”, tha Rama.

Në lidhje me mosveprimin e policisë bashkiake gjatë bllokimit të trafikut ditën e hënë, Rama tha se policia bashkiake asnjëherë nuk është përdorur për manaxhimin e qarkullimit rrugor, por thjesht ka qenë suport. Ai përmendi edhe dy dokumente të prefektit të Tiranës ku citohej se policia bashkiake tejkalon kompetencat e saj duke u përfshirë në qarkullimin rrugor në Tiranë, çka sipas këtij dokumenti është kompetencë e policisë rrugore nën varësinë e Ministrisë së Brendshme.

Rama pohoi se numri i efektivave të policisë bashkiake është 250 dhe jo 380 sikundër pretendon mazhoranca. Kryetari i Bashkisë u shpreh se nga të gjithë ekspertët ndërkombëtarë është arritur konkluzioni infrastruktura e Tiranës përballon trafikun por problemi sipas tij qendron të manaxhimi i mjeteve, detyrë kjo e policisë rrugore.

Përsa i përket bllokimit të punës në KRT e Tiranës, zoti Rama tha se ky institucion ka funksonuar për aq kohë sa ka qenë nën kontrollin e Berishës kohë kur sipas tij çdo vendim merrej sipas pëlqimit të kryeministrit.

“KRT e bashkisë ka funksionuar për aq kohë sa është kontrolluar nga Saliu. Nuk ka leje ndërtmi të dhënë në Tiranë nga 2005-2009, që të mos ketë patur pëlqimin dhe vulën e Saliut. E gjithë legjenda e betonizimit të Tiranës është propagandë e pashembullt, në 9 vjet është ndërtuar 1 përqind i territorit të Tiranës. Në pjesën tjetër dora e bashkisë ka ndërhyrë për të hapur rrugë, lulishte, kopshte e çerdhe. Këtu është bllokuar sektori i ndërtimit vetëm për pasojë të urrejtjes ndaj opozitës duke djegur mijëra vende pune e duke lënë shqiptarët pa punë”, deklaroi Rama.

Përsa i përket planit për prishjen e piramidës, Rama u shpreh se një veprim i tillë do të ishte një arsye më shumë për shqiptarët për të larguar Sali Berishën, i cili sipas tij vazhdon të merret me fantazmën e Enver Hoxhës duke prodhuar një politikë konflikti dhe duke sjellë ndasi të pashembullt mes shqiptarëve.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta