
Gjatë rrëfimit të tij në emisionin “Top Story”, në Top Channel, kryetari i PS Edi Rama ka deklaruar se mocioni i opozitës ndaj kryetares së Parlamentit Jozefina Topalli është një aksion i gjerë politik.
“Mocioni është një aksion, sepse ky është qëllimi i opozitës, që të cojë gjërat përpara dhe në këto kushte ne e shohim të domosdoshme që politika të reagojë. Që palët të reagojnë dhe që shqiptarët të mos mbeten peng i injorancës që pasqyrohet në opinionin e KE, që qeveria nuk e pranon”, është shprehur Rama.
Sipas tij, për situatën e krijuar përgjegjëse është qeveria, e cila ka refuzuar vazhdimisht ofertat e PS, edhe pse ato sipas tij vlerësohen nga opinioni i KE.
Rama ka përsëritur kërkesën e opozitës për hetimin e zgjedhjeve të 28 qershorit, në mënyrë që pas tyre PS të japë konsensusin për kuadrin zgjedhor të zgjedhjeve të ardhshme.
“Opinioni thotë se qeverisë i ka munguar vullneti për të pranuar ofertat e PS. Me të filluar hetimi ne jemi të gatshëm të fillojmë punën për një kuadër zgjedhor që të garantojë zgjedhjet e ardhshme. Ashtu sic thotë dhe opinioni, të kemi një jetë të balancuar parlamentare, pasi sipas tij nuk ka vend demokratik ku Parlamenti është i njëanshëm”, ka nënvizuar Rama, duke akuzuar direkt kryetaren Topalli.
“Kuvendi është politizuar nga zonja Jozefinë për interesat e oborrit në pushtet, që uzurpon cdo hapësirë institucionale e shoqërore”, është shprehur ai.
Më tej Rama ka shtuar se opozita është e gatshme të japë kontributin e saj për nisma të përbashkëta për pavarësinë politike dhe financiare të gjyqësorit, si dhe për të luftuar krimin e organizuar duke hequr barrierat hetimore për ministra, deputetë e gjykatës.
Top Channel