
Mbikqyrja e përditshme sesi vendet e rajonit do të respektojnë detyrimet që rrjedhin nga proçesi i heqjes së regjimit të vizave, ishte çeshtja kryesore që diskutoi këtë vit forumi i zakonshëm dy-ditor i Ministrave të Brendshëm dhe të Drejtësisë së rajonit që u zhvillua në Bruksel nën drejtimin e presidencës belge.
“Diskutuam për heqjen e vizave, çfarë përbën një evolucion pozitiv. Por ne punojmë veçanërisht mbi emigracionin e paligjshëm, duke kërkuar monitorim, mekanizëm parandalues, dhe që Komisioni të nisë punën e të përfshijë të gjitha palët e përfshira për të diskutuar pikërisht mbi këto çështje. Ne po hapim sistemin, por në të njëjtën kohë jemi pak të frikësuar nga lëvizjet e paligjshme dhe nga vështirësitë që mund të kemi. Pra duhet theksuar kërkesa për monitorim për të parë ç‘ndodh ditë pas dite”, deklaroi Stefaan De Clerck, Ministri i Drejtësisë i Belgjikës që mban Presidencën e radhës së BE-.
Gjashtë muaj pas hyrjes në fuqi të liberalizimit të vizave për Shqipërinë dhe Bosnjen, Komisioni do të bëjë raportin e parë monitorues, bazuar në mekanizmin që vendet anëtare miratuan më 8 nentor, i cili përfshin edhe rivendosjen e sistemit të vizave në rast abuzimi.
Në takim u fol dhe për drejtësinë, trafiqet, krimin,e korrupsionin mbrojtjen absolute të të dhënave personale, bashkëpunimin e ngushtë me agjensitë europiane të drejtësisë dhe policisë,. Por, pavarësia e gjyqësorit, sipas përfaqësuesit të BE-së në takim, mbetet prioritet kyç në rajon.
“Duhet të garantojmë që mbrojtja e të dhënave personale është një e drejtë reale për këdo. Diskutuam për bashkëpunimin në çështjet kriminale, nga fillimi, pra nisja e hetimit deri në fund, kur nisin dhe procedurat gjyqësore. U hodh dhe idea e një urdhër-arresti ballkanik, siç kemi ne urdhër-arrestin europian, një instrument i rëndësishëm bashkëpunimi, nëse dikush ka nevojë që të sillet në një vend tjetër për hetim”, tha më Stefaan De Clerck.
Nga ana e tij Ministri shqiptar i Drejtësisë Bujar Nishani tha se një ekip i « Eurojust » do vijë brenda vitit në Shqipëri për të verifikuar sesi funksionojnë të gjitha këto, mbrojtja e të dhënave etj.
“Kur flasim për kodet penale përshembull dhe për korrupsionin, këto gjëra janë të lidhura me pavarësinë pasi ajo nuk duhet të jetë vetëm në ligje, por edhe në praktikë. Pasi nëse nuk luftohet korrupsioni dhe nëse nuk zhduket lidhja mes këtij fenomeni dhe gjyqtarëve të cilët duhet t’i zbatojnë siç duhet të gjitha ligjet, atëherë sigurisht që nuk funksionon siç duhet”, deklaroi Stefaan De Clerck.
Pergatiti ARTA TOZAJ
Top Channel