Shkodër, protestë për përmbytjet

24/11/2010 20:35

Banorët e Nënshkodrës të prekur nga përmbytjet e njëpasnjëshme kanë zhvilluar një protestë.

Ata që merren me biznesin e rritjes së bimëve dekorative, por edhe rritësit e peshkut pas dëmtimeve nuk janë dëmshpërblyer.

Protestuesit janë nga fshatrat Darragjat, Shirgj, Obot, Samrish dhe Pentarit. “Jemi dëmtuar shumë rëndë dhe s’kemi marrë asnjë ndihmë”, shprehet një prej tyre.

“Na janë përmbytur rezervuaret e peshkut. Ka ardhur komisioni nga ministria, ka bërë vlerësimet dhe s’kanë kthyer përgjigje”, thotë një tjetër.

Nga prefektura e Shkodrës përgjigjia për protestuesit ka qenë se ata nuk u dëmshpërblyen sepse nuk ishin të licensuar. Janë 160 familje që sigurojnë jetesën me  rritjen e bimëve dekorative.

Ndërkohë, pas Obotit radhën për t’u përmbytur e ka pasur zona e Dajcit. Në këtë komunë raportohet prezencë uji në Daragjat dhe Shirgj, ndërkohë që rruga nacionale që lidh këtë komunë me pjesën tjetër të vendit për makinat e vogla është thuajse e pakalueshme, pasi uji ka arritur deri në 40 cm.

Në Shkodër është mbledhur shtabi i emergjencave, ku është folur për përballimin e situatës më të fundit.

“Mesazhi është ky, që ne nuk jemi në një situatë emergjente, por brenda kufijve të normales. Ndryshimi i klimës ka sjellë prekjen e zonave të tjera nga përmbytjet dhe jo zonat tradicionale”, ka deklaruar drejtori i Emergjencave Civile, Alfred Olli.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA