Rritet dhuna në futboll

24/11/2010 21:55

Futbolli shqiptar ngjan gjithnjë e më shumë me një arenë boksierësh se sa një lojë me 22 sportistë në fushe.

Liga superiore nuk ka shpëtuar as këtë vit nga incidentet. Por ajo që nuk bie në sy për shkak të mungesës së vëmendjes mediatike është kategoria e parë, ku dhuna përsëritet gati çdo javë.

Vetëm në 12 javët e para komisioni i disiplinës së FSHF-s ka marrë 155 vendime ndëshkimore, nga përjashtimet e skuadrave nga kampionati me vite, si ndodhi me Memaliajn një ditë më parë, deri te pezullimet e presidentëve të superiores me nga 8 javë.

Shifra e këtyre masave është dyfishuar, pasi në sezonin e shkuar në 12 javët e para ishin marrë vetëm 87 vendime të tilla.

Megjithatë dhuna rishfaqet, tensioni duket të jetë bërë më i madh, pavarësisht se ndeshjet e Superligës transmetohen të gjitha drejtpërdrejtë në TV falë paketës SuperSport.

2.2 milionë lekë gjobë ka paguar vetëm presidenti i Besës, Bizhdili që në javën e parë të kapionatit, ndërkohë që komisioni i disiplinës deri më tani ka gjobitur me rreth 12.6 milion lekë edhe protagonistë të tjerë të futbollit shqiptar, lojtarë, trajnerë e presidentë.

Kjo shifër gjobash është 6 fishi i atyre të vendosura në 12 javët e para të sezonit të shkuar, saktësisht 2.6 milionë lekë, çka tregon forcimin e masave ndëshkuese, por më tepër shtimin e dhunës nëpër stadiumet shqiptare.

Ndëshkime që duken të pamjaftueshme për të rikthyer normalitetin në futboll, ku një sezon kushton rreth 7 milionë euro.

Shifër shumë e lartë për të parë një nivel loje, rrallë herë mbi mesataren e po kaq rrallë me tifozë që gjithnjë kur janë të pranishëm tregojnë praninë e tyre me çdo formë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA