Incidentet në shkolla, “përgjegjësi e mësuesve”

24/11/2010 20:25

Pas incidenteve të fundit të shënuara në dy gjimnaze të Tiranës, zyrtarët e Ministrisë së Arsimit kanë kërkuar që cdo mësues të jetë më afër nxënësve, jo vetëm nga ana pedagogjike por edhe sociale.

“Autoritetet shkollore, mësuesit nuk posedojnë kompetencë sociale, që do të thotë të menaxhojnë problemet sociale që vijnë brenda shkollës, t’i identifikojnë dhe t’i mënjanojnë ato. Shkolla nuk duhet të ketë polici, por duhet një polici në lëvizje që të ndodhet në vendin e duhur në momentin e duhur”, deklaron Halit Shamata, zëvendësministër i Arsimit.

Ndërkohë, nxënësit duan që uniformat blu të jenë të pranishme në ambjentet e shkollës, për shkak të problemeve që u krijohen atyre nga nxënësit problematikë.

“Duhet të ketë polici sepse në shkollë ka pasur konflikte. Duhet mbajtur rregull”, shprehet një nxënës.

Të njëjtin mendim me nxënësit ndajnë edhe psikologët. “Është shumë e rëndësishme prania e policisë. Prania e saj ka ulur ndjeshëm konfliktet mes adoleshentëve. Gjithashtu, punonjësit e policisë kanë pasur lidhje me mësuesit dhe psikologët e shkollave”, deklaron psikologia Jeta Shkurti.

Drejtoria e policisë së Tiranës ka deklaruar se do të vazhdojë të angazhojë pranë objekteve shkollore punonjës policie, që do të monitorojnë dhe patrullojnë më shpesh territorin pranë shkollave.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA