Fullani paralajmëron qeverinë

24/11/2010 20:50

Pas Fondit Monetar Ndërkombëtar edhe Banka Qendrore i bën thirrje qeverisë që të tërhiqet nga parashikimet optimiste të buxhetit për vitin 2011.

Guvernatori Ardian Fullani ka deklaruar se rreziqet në ekonomi mbeten të larta, ndaj është e rëndësishme që buxheti të jetë realist.

“Hartimi i buxhetit dhe i projeksioneve të treguesve fiskalë për vitin 2011 duhet të bazohet në parashikime të kujdesshme. Bazimi në supozime dhe parashikime të tilla do të ishin të domosdoshme për një buxhet të mirëekuilibruar”, ka deklaruar Fullani.

Banka vlerëson se ekonomia po rritet më ngadalë se mundësitë e saj, për shkak se konsumatorët dhe bizneset janë të pasigurtë dhe po vazhdojnë të tregohen dorështrënguar në treg. Ndaj guvernatori dha një mesazh.

“Banka e Shqipërisë vlerëson se konsumatori dhe biznesi shqiptar duhet të adoptojnë një sjellje më optimiste në drejtim të konsumit dhe investimeve në vend, për të pasur një rritje të mirë ekonomike”, është shprehur Fullani.

Ai i është përgigjur edhe shqetësimeve mbi efektet që do të ketë liberalizimi i vizave në kursin e këmbimit. “Kursi i këmbimit do të jetë i qendrueshëm dhe s’do të ketë disbalancime”, ka theksuar guvernatori.

Ndërkohë, Këshilli Mbikëqyrës vendosi të mos e ndryshojë normën bazë të interesit, por guvernatori tha se banka do të ndjekë më vëmendje zhvillimet e cmimeve në tregjet ndërkombëtare.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA