Balla: Oferta e PS, konçesioni i fundit

24/11/2010 00:20

Oferta e opozitës për daljen nga ngërçi politik që ka përfshirë vendin për më shumë se një vit, ishte tema e diskutimit në panelin e Top Show mbrëmjen e së martës në Top Channel.

Të ftuar në panelin e Top Show ishin analistë, gazetarë si dhe deputeti i Partisë Demokratike dhe kryetari i kësaj partie për qytetin e Tiranës, Aldo Bumçi dhe deputeti socialist, Taulant Balla.

Në fjalën e tij deputeti Balla e cilësoi ofertën e dorëzuar më 22 tetor në tryezën e kryeministrit Berisha nga vetë kryetari socialist, Edi Rama si konçesionin i fundit që opozita i bën mazhorancës për gjetjen e një zgjidhjeje për të hedhur pas krahëve krizën politike.

“Kjo është oferta dhe konçesioni i fundit që ne kemi bërë për mëse 14 muajsh lidhur me objektin e hetimit të parregullsive të zgjedhjeve të 2009-ës. Kjo është oferta e fundit”, tha zoti Balla.

Më tej deputeti socialist bëri një panoramë të lëshimeve të opozitës, që sipas tij kanë nisur nga refuzimi i Berishës për të hetuar në mënyrë të pakufizuar zgjedhjet e 2009-ës. Balla tha se tashmë Partia Socialiste ka hequr nga kërkesat e saj hapjen e kutive të fletëve të votimit dhe kërkon vetëm hetimin e materialeve zgjedhore.

“Në 6 shtator të 2009 PS kushtëzoi pjesëmarrjen në Kuvend me hetim të plotë të të gjitha parregullsive në proçesin zgjedhor, numërimin, dhunimin e administratës publike, të burgosurit etj. Partia Demokratike dhe Sali Berisha refuzoi një hetim të plotë të zgjedhjeve. U desh rezoluta e PE-së për të çelur hetimin e zgjedhjeve. Dita e betimit është edhe dita që ne kemi bërë këtë ndarje të parë ndërmjet fletëve të votimit dhe materialeve zgjedhore. U desh kohë e gjatë deri tek rezoluta e PE-së e cila tha qartë se në Shqipëri ka nevojë për hetim të plotë të zgjedhjeve, me anë të një komisioni hetimor parlamentar me shumicë të opozitës. Në fillim të sesionit të ri parlamentar në kërkuam vetëm materialet zgjedhore duke kushtëzuar çështjen e fletëve të votimit, ndaj është oferta e fundit. Përmes firmave të deputetëve i dhamë PD këtë ofertë që përfundimisht sanksionon si objekt të pakushtëzuar hetimor të materialeve zgjedhore, për fletët e votimit nuk kemi asnjë interes”, tha Balla.

Por pavarësisht se do të hetohen materialet zgjedhore, deputeti socialist i Qarkut të Elbasanit u shpreh se fletët e votimit nuk duhet të digjen, ashtu sikundër kërkon mazhoranca, pasi sipas tij pas hetimit të komisionit hetimor, fletët mund të shërbejnë si pikë reference për organet e tjera hetimore, siç është edhe prokuroria.

“Fletët të mos digjen pasi nga hetimi i komisionit hetimor fletët mund të përdoren si  referencë për hetime të mëtejshme të institucioneve të tjera siç është prokuroria”, deklaroi Balla.

Ndërkohë në fjalën e tij deputeti demokrat, Aldo Bumçi kundërshtoi deputetin Balla duke deklaruar se në propozimin e datës 22 tetor që ka marrë kryeministri Berisha, përfshihet fraza “hetim i pakufizuar”. Sipas Bumçit qendrimi i mazhorancës për hetim të kufizuar nuk është politik, por ligjor dhe në zbatim të Kodit Elektoral të miratuar me konsensus mes dy partive më të mëdha.

“Ne kemi patur një qendrim ligjor jo politik. Të zbatojmë Kodin Elektoral që kemi hartuar bashkë dhe ndërtuar bashkë. Të drejtën për të rinumëruar fletët e merr me vendim gjykata. Qendrimi ynë është ligjor. Shkoni në gjykatë dhe gjykata mund të vendosë kundër nesh. Oferta që ka marrë kryeministri më 22 tetor përmban fjalën hetim i pakufizuar, që është kundër vendimit të gjykatës. Një hetim i pakufizuar është një hetim anti-kushtetues. Kjo ofertë politike është dhënë më 22 tetor në dorën e Berishës”, deklaroi Bumçi.

Por në fjalën e tij ish-kryetari i Komisionit Zgjedhor CClirim Gjata u shpreh se fletët e votimit dhe materialet zgjedhore nuk mund të ndahen pasi janë pjesë e të njëjtit proçes por që janë ndarë sipas tij për arsye administrative.

Zoti Gjata renditi tre arsye se pse hetimi i zgjedhjeve, sipas tij nuk është në kompetencë të Kuvendit.

“Çkuptim ka t’i ndash materialet nga fletët, parlamenti nuk e bën dot një hetim të tillë, nëse do të ishte e ligjshme hapja e materialeve do të ishe e ligjshme edhe hapja e fletëve. Parlamenti nuk mund të kryejë këtë hetim pasi e para hetimi nuk është në juridiksionin e parlamentit, e dyta vendimet e Gjykatës Kushtetuese kufizojnë objektin e hetimit, dhe e treta ka konflikt interesi, nuk mundet parlamenti të hetojë atë proçes nga ku ka dalë vetë”, tha zoti Gjata.

Përsa i përket protestës së paralajmëruar të opozitës me 26 nëntor duke nisur nga qyteti i Elbasanit, deputeti socialist, Taulant Balla tha se ajo do të zhvillohet, pavarësisht përgjigjes së mazhorancës mbi ofertën e socialistëve.

“Protesta e datës 26 do të zhvillohet. Shqiptarët kanë plot arsye për të protestuar”, u shpreh Balla.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA