Edi Rama i shkruan Sali Berishes dhe i kërkon zgjidhjen e krizës politike përmes ofertës së opozitës për hetim të plote të kutive të materialeve zgjedhore dhe jo fletëve të votimit.(UPDATE)
Letra është dërguar të hënën, por përmbajtja e saj ishte nën embargo si një kusht i ndërkombëtarëve. Faktorë të rëndësishëm të komunitetit ndërkombëtar në Tiranë i kishin kërkuar Partisë Socialiste që të mos e bënte publike letrën deri në marrjen e konfirmimit se letra ishte marrë dhe lexuar nga kryeministri Berisha. Ky konfirmim duket se erdhi një ditë më pas dhe letra u shpërnda të martën nga zyra e shtypit e Partisë Socialiste. Përmbajtja e letrës nuk është as më shumë e as më pak, vec një tjetër thirrje publike e Partisë Socialiste që qeveria të pranojë ofertën e re të saj. Kjo ofertë është në fakt dokumenti, i nënshkruar nga 30 deputetë socialistë, që kryetari Rama i dorëzoi kryeministrit Berisha në tryezën e parë për reformën zgjedhore.
Që atëhere, kryeministri nuk ka rreshtur së përsërituri që oferta duhet të dorëzohet zyrtarisht në Kuvend në formën e një projektvendimi për ngritjen e komisionit hetimor për zgjedhjet e 28 qershorit. Po ashtu, gjatë këtij prononcimi në formë pyetje-përgjigje, kryeministri la të kuptohet se për të përbën problem termi “hetim i pakushtëzuar” i formuluar më parë Partia Socialiste, pasi një objekti i një komisioni hetimor parlamentar është i përcaktuar nga ligji.
Në letër, hetimi i pakushtëzuar është zëvendësuar me hetim të plotë. Hetimi i pakushtëzuar i është lënë të ardhmes.
Po ashtu zoti Rama le të shkruar “e zeza në të bardhë” angazhimin e Partisë Socialiste për të hetuar vetëm kutitë e materialeve zgjedhore, pa përfshirë fletët e votimit. Qëndrim krejt i ri, i bërë publik pas Asamblesë Kombëtare. Zoti Rama angazhohet se me të filluar ky proces hetimor nga komisioni parlamentar me shumicë dhe kryesim të opozitës, sic kërkohet edhe në rezolutën e Parlamentit Europian, socialistët janë të gatshëm të nisin edhe dialogun për reformën e re zgjedhore.
Në një paragraf të gjatë, zoti Rama argumenton bindjen e socialistëve se hetimi i zgjedhjeve do të dëshmojë për herë të parë vullnetin për zbatimin e kodit zgjedhor dhe do të hapë për të ardhmen kapitullin e transpareness së pakushtëzuar paszgjedhore, si garanci për ripërtëritjen e besimit të cdo zgjedhësi tek vlera e votës së tij.
Në fund, formula e politesës ndryn brenda akuzën se zvarritja e zgjidhjes së krizës ka ardhur nga kryeministri dhe qeveria, ashtu sic vihet re edhe në raportin e fundit të Komisionit Europian. Letra i është dërguar për dijeni edhe presidentit të Komisionit dhe Komisionerit për Zgjerimin dhe kryetarëve të dy grupeve kryesore në Parlamentin Europian.
Top Channel