Pazios: Në Shqipëri mbi 270 kompani greke

23/11/2010 08:15

“Nuk ka dyshim se Greqia ishte dhe vazhdon të jetë një ndër partnerët më të rëndësishëm ekonomikë të Shqipërisë”.

Ky është mendimi i ambasadorit të Greqisë në Tiranë, Nikos Pazios, të shprehur në intervistën e dhënë për “Shqip”.

Duke folur për situatën ekonomike në tërësi, ambasadori thotë se nuk do të ketë ndikim të krizës greke, ndërsa përmend një sërë faktorësh që bëjnë të mundur partneritetin mes dy vendeve.

“Greqia përbën një prej partnerëve më të rëndësishëm strategjikë dhe ekonomikë të Shqipërisë. Dy vendet kanë hedhur hapa të rëndësishëm për kultivimin e një klime mirëkuptimi dhe besimi, duke krijuar në këtë mënyrë perspektivat për zgjerimin e marrëdhënieve. Vlen të përmendet këtu se Greqia është partneri i dyte tregtar i Shqipërisë, ndërkohë që kompanive greke iu takon 28% e investimeve të huaja direkte në Shqipëri, duke zënë në këtë mënyrë dhe vendin e parë”, ka deklaruar Pazios.

Sipas tij, e favorizuar edhe nga pozita gjeografike, Greqia është partneri kryesor tregtar i Shqipërisë, e cila i ka mbajtur në nivele të larta shkëmbimet.

“Në thelb, Greqia përbën partnerin e rëndësishëm dhe të vetëm tregtar të Shqipërisë, me të cilin, me gjithë krizën dhe zvogëlimin të vëllimit të përgjithshëm të shkëmbimeve të Shqipërisë, vendi juaj zgjeroi dhe mbajti në nivele të larta shkëmbimet e veta tregtare”, është shprehur Pazios.

Top Channel