Inspektoriati ndërtimor i qarkut Korçë ka marrë përsipër prishjen e ndërtimit në rrugë në qendër të qytetit të Korçës.
Edhe pse nga ana e këtij inspektoriati nuk janë dhënë sqarime, ndërhyrja është bërë në bazë të një vendimi pasi ndërtimet e kryera kanë qenë të paligjshme.
“Shkak kanë qenë punimet e paligjshme që kishte ndërmarrë bashkia Korçë. Nuk është prishur asnjë pemë dhe trotuarë. Ato janë dërguar me proçesverbal në ndërmarrjen e gjelbërimit”, deklaron Vladimir Golka, përfaqësues i inspektoriatit ndërtimor.
Një ditë më parë edhe dega e Partisë Demokratike përmes kryetarit të grupit të këshilltarëve të djathtë ka deklaruar se ndërtimet në rrugë janë prishur nga inspektoriati pasi ka një vendim të lëshuar që më parë.
“Ne këshilltarët e djathtë jemi të vendosur të mos lejojmë që të cungohen rrugët dhe sheshet e qytetit të Korçës”, shprehet Pëllumb Beqiraj, përfaqësues i PD-së, në Korçë.
Reagimet për marrjen e përgjegjësisë për shkatërrimin e trotuarëve dhe shkuljen e pemëve, sipas bashkisë, ka konfirmuar edhe njëherë se kjo ndërhyrje ka ndodhur për motive politike.
“I ftojmë institucionet e përfshira edhe strukturat e PD-së që të heqin dorë nga justifikimet qesharake dhe të marrë në mbrojtje institucionet që kanë shkaktuar prishjen”, thekson Sotiraq Filo, nënkryetari i bashkisë së Korçës.
Objektet që janë hequr nga rruga në qendër të Korçës, sipas inspektoriatit, janë marrë në ruajtje nga ky institucion bashkë me pemët.
Top Channel