Ibra e Dinjo i japin fitoren Milanit

23/11/2010 22:55

Një gol i Ibrahimoviç në minutën e 65 dhe një tjetër i Ronaldinjos në minutën e 90-të të takimit i kanë dhënë fitoren skuadrës së Milanit ndaj Aukserit në ndeshjet e pesta të vlefshme për grupin G të Ligës së Kampioneve.

Në ndeshjen e luajtur në Francë, kuqezinjtë kërkuan që në 45 minutat e para golin, por pa mundur të gjejnë atë. 20 minuta nga nisja e fraksionit të dytë, Ibrahimoviç gjen rrjetën dhe qetëson stolin dhe tifozët kuqezinj. Por ai që vulos rezultatin ishte goli i dyshes braziliane Robinjo-Ronaldinjo. I pari shërben ndërsa i dyti gjen rrjetën.

Në ndeshjen tjetër të këtij grupi, Real Madrid ka shkatërruar 0-4 Ajaksin e Amsterdamit. Golat për skuadrën e Mourinjos u shënuan nga Benzema në minutën e 36, Arbeloa në të 44 dhe Ronaldo në minutën e 70 dhe 81.

Pas këtyre ndeshjeve, Reali ka hipotekuar vendin e parë në grup në kuotën e 13 pikëve duke lënë pas Milanin me 8, Ajaksin 4 dhe Aukserin 3.

Në grupin E Roma ka përmbysur disavantazhin 0-2 të pjesës së parë ndaj Bajernit të Mynihut. Miqtë shënuan dy gola me Gomez në minutën e 33 dhe 39. Vendasit u kundërpërgjigjen me Borrielon në minutën e 49, De Rosin në të 81-ën dhe Totin me 11 metërsh në minutën e 84.

Takimi tjetër i këtij grupi mes Bazelit dhe Cluj u mbyll 1-0 për zvicerianët. Grupi E kryesohet nga Bajern me 12 pikë, ndjekur nga Roma me 9, Bazel 6 dhe Cluj 3.

Në grupin F Chelsea ka fituar me rezultatin 2-1 ndaj modestëve të Zilinas. Miqtë e mbyllën pjesën e parë në avantazh, por golat e Sturridge dhe Maludas zhvleftësuan golin e sllovakëve.

Më herët në këtë grup, Marseja shkatërroi 0-3 Spartakun e Moskës. Grupi udhëhiqet nga Chelsea me 15 pikë, Marseja 9, Spartaku 6 dhe Zilina 0.

Shaktari ka mundur 0-3 Partizanin e Beogradit dhe ka marrë kryesimin e grupi H, kjo falë edhe humbjes 2-0 të Arsenalit ndaj Bragës në Portugali. Shaktari kryeson me 12 pikë i ndjekur nga Arsenal dhe Braga me 9 dhe partizan Beograd 0 pikë.

Ndeshjet e Ligës së Kampioneve rikthehen të mërkurën ku spikat sfida e Interit ndaj Tuentes, e cilësuar si mundësia e fundit e trajnerit Benitez për të vazhduar punën në stolin zikaltër.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA