Ka dështuar në Gjykatën e Lartë proçesi për rivlerësimin e masës së sigurisë së ish zyrtarit të SHIK-ut, Ilir Kumbaro, i vënë nën akuzë për rrëmbimin dhe vrasje. (UPDATE)
Shkak është bërë mos formimi i kolegjeve të bashkuara, çka e shtyu proçesin në fillim të vitit 2011, në një kohë që gjykata londineze është në pritje të këtij proçesi për të dhënë vendimin nëse do ta ekstradojë apo jo Kumbaron në Shqipëri.
Në një deklaratë për mediat, shefja e marrëdhënieve me publikun Ida Vodica shprehet se shkak për shtyrjen është mosfunksionimi me trupë të plotë gjyqësore të kolegjeve të bashkuara.
Brenda kolegjeve, ndodhemi në sallën ku mblidhen kolegjet e bashkuara, realisht prej mëse një viti e gjysmë kolegjet e bashkuara nuk po arrijnë të mblidhen me numrin prej 17 anëtarësh sikurse e cakton ligji i funksionimit të Gjykatës së lartë.
Jo vetëm kaq, por këtë të martë kolegjet e bashkuara nuk kanë arritur të mblidhen as me minimumin e anëtarëve që janw 12, mosformimi i kolegjeve të bashkuara po sjell zvarritje proçesesh edhe në këtë gjykatë.
Për mosformimin e kolegjeve këtë të martë, shkak ka qenë edhe gjendja shëndetësore e kryetares së Gjykatës së Lartë dhe kryetarit të kolegjit.
Gjithashtu edhe anëtari i kolegjit, Mehdi Bici ka dhënë dorëheqjen, pasi ka marrë pjesë në gjykimin e kësaj çështjeje në apel, ndërsa gjykatësja Mirela Fana ka dhënë dorëheqjen për shkak se bashkëshorti i saj ka qenë avokat i çështjes në fjalë.
Por realisht ajo që e ka futur në krizë gjykatën e lartë është mungesa e tre anëtarëve që nuk po votohen në kuvend, duke e rikthyer disa hapa pas këtë gjykatë sikurse në vitin 2008, kur kryetar ishte zoti Thimio Kondi dhe kur në Gjykatën e Lartë mungonin pesë anëtarë, çka solli një mosfunksionim të plotë të kolegjeve për disa muaj rresht.
Top Channel