Hetimet për incidentin e deputetes së Kuvendit të Shqipërisë Albana Vokshi po angazhojne instancat më të larta edhe në Kosovë.
Ministri i Brendshëm kosovar Bajram Rexhepi konfirmoi se ka zhvilluar një takim me autoritetet e shtetit shqiptar për këtë çështje. Përmes telefonit zoti Rexhepi tha për Top-Channel se pjesëtarët e policisë kufitare të Kosovës kanë dështuar në menaxhimin e situatës së krijuar me deputeten më datë 14 nëntor.
Ministri madje tha se ka kërkuar nga Inspektorati Policor hetim të detajuar mbi sjelljen e policëve. Ministri Rexhepi duke mos dashur të paragjykojë rezultatin e hetimeve tha se mjafton fakti se deputetja Vokshi ka patur pasaportë diplomatike për të kaluar me procedurë të përshpejtuar.
Pas akuzave të lëshuara nga zonja Vokshi, se i janë shkelur të drejtat nga Policia e Kosovës, Top Channel shkoi në pikën kufitare të Vërmicës për të dëgjuar dëshmitarët e incidentit.
Policët e përfshirë në këtë incident janë Bujar Shala, Bekim Morina dhe Mjellma Shala. Ndërkaq polici i cili është përplasur verbalisht me Vokshi, Bujar Shala është transferuar dhe sic kuptohet, me të tjerët ishte shumë e vështirë për të kontaktuar.
Por kolegët e tyre tregojnë se fyerjet nga ana e deputetes Vokshi kanë filluar para se ajo të tregonte pasaportën diplomatike, e po kështu edhe reagimi i nxituar i policit siç thonë ata, që ka ndodhur në atë kohë.
Ndërkohë që Inspektorati Policor ka nisur hetimet ndaj kësaj cështje, policët e kufirit vazhdojnë të jenë të rezervuar në dhënien e informacioneve. Madje komandanti i stacionit policor thotë se kjo është një cështje e mbyllur për policinë
Policët por edhe doganierët e përshkruajnë zonjën Vokshi si personalitet të vrazhde e cila dy tri here sic shkruhet edhe në aktvendimin e gjykatës e ka quajtur policin “kafshë” ndërsa i kishte thene atij se “kështu jeni mësuar ju me serbët”. Gjykata për kundërvajtje e Prizrenit e denoi dënoi deputeten shqiptare me 250 euro gjobë për prishje të rendit dhe qetësisë publike dhe për fyerje të personit zyrtar, nderkohe qe iu pezulluan dy pikat per sjellje arrogante dhe mosperfillje te urdhrit.
“I kemi shqiptuar gjobën prej 250 eurosh, avokati ka të drejtë ankese brenda 8 ditësh, presim ankesën për shkallën e dytë”, tha kryetari i gjykatës për kundërvajtje në Prizren, Alija Fazli.
Deputetja e Partisë Demokratike të Shqipërisë nuk e pagoi gjobën prej 250 eurosh. Ajo si duket preferoi që incidenti në kufi të merrte formën e plotë të një ceshtjeje gjyqësore.
Në ditën e incidentit ajo angazhoi avokatin Orhan Rekathatin, të cilin e shkarkoi. Avokati në fjalë kishte qenë i pranishëm në seancën parapërgatitore por nuk dëshiron të flas për këtë.
Avokati tjetër i autorizuar nga zonja Vokshi tashmë është Rexhep Hasani i cili ka paraqitur ankese ne gjykaten e larte per kundervajtje ne Prishtine.
Në deklaratën e saj të publikuar ditë më parë, deputetja Albana Vokshi ka mohuar të gjitha deklaratat e policëve kosovarë ndërkaq ka kërkuar nga autoritetet shqiptare e kosovare zbardhjen sa më shpejtë të këtij rasti.
Top Channel