Trafiku, apokalips në Tiranë

22/11/2010 19:40

Tirana ka përjetuar vërtetë një situatë apokaliptike. Përgjatë gjithë pasdrekës dhe deri në mbrëmje, krahas shiut të rrëmbyer kryeqyteti ka vuajtur edhe trafikun, që paralizoi cdo lëvizje në thuajse të gjitha akset e tij.

Për më shumë se 3 orë, rrugët dhe bulevardet kryesore të kryeqytetit kanë qenë të bllokuara nga trafiku.

Kjo anomali në trafik ka ardhur si pasojë e fluksit të dendur të automjeteve në rrugët hyrëse dhe dalëse të kryeqytetit.

Ky trafik është shkaktuar edhe si pasojë e mosfunksionimit të shumë prej semaforëve dhe në disa raste të mungesës së policëve të qarkullimit rrugor në kryqëzimet kryesore.

Mungesa e rrugëve që devijojnë kalimin në qendrën e kryeqytetit për automjete që do dalin jashtë Tirane është një tjetër arsye pse rëndohet trafiku, sidomos në qendër të qytetit.

Përvec pjesës së qendrës, problematike kanë qenë edhe kryqëzimi te Zogu i Zi dhe Don Bosko, segmente të tëra të unazës, rruga e Barikadave, bulevardi Zogu i Parë, kryqezimi i 21 Dhjetorit, kryqëzimi i rrugës së Elbasanit dhe pjesa e rrugës pranë shkollës “Vasil Shanto”.

E ndërsa kryeqyteti ndodhej i paralizuar nga trafiku, në shumë pika nevralgjike binte në sy mungesa e policëve rrugorë, cka ka sjellë më pas edhe polemikat politike.

Kryetari i bashkisë së Tiranës dhe njëkohësisht lideri socialist, Edi Rama akuzoi qeverinë për bllokim të qëllimshëm të trafikut në kryeqytet.

“Akuzoj për një orkestrim kriminal Ministrinë e Brendshme, që qytetarët dhe unë, që mu deshën 45 minuta për të lëvizur në bulevard, pamë që nuk kishte policë. Është e pashembullt që Policia e Shtetit të abuzojë në këtë mënyrë për një qëllim makabër, duke tensionuar qytetarët, për të krijuar një peshë faji mbi bashkinë”, ka deklaruar Rama.

Pas Ramës ka reaguar edhe ministri i Brendshëm Lulezim Basha, që ka akuzuar pikërisht bashkinë për trafikun.

Top Channel