Topi merr cmim për paqen

22/11/2010 20:30

Dorëzimi i çmimit ndërkombëtar për paqen të qendrës së studimeve “Giuseppe Donati”, mbylli ditën e dytë të vizitës në Itali të presidentit Bamir Topi.

Në katedralen e Pistoiës, në Toskanë, atij iu akordua ky çmim për kontributin e dhënë në reformat rrjënjësore të vendit, për forcimin e demokracisë dhe të marrëdhënieve me Italinë.

Çmimi i është dhënë vitet e kaluara edhe dy personaliteteve të tjera shqiptare, Nënë Terezës dhe Ibrahim Rugovës. Gjatë qendrimit të tij presidenti shqiptar zhvilloi shumë takime me autoritet vendore.

Por një vend të veçantë në axhendë kishte edhe komuniteti shqiptar me banim në Itali. Në Androdoko, ku ka jetuar dhe punuar piktori i madh shqiptar Lin Delija, e më pas në Prato e Pistoia.

Në mënyrë të veçantë në qytetin e Pratos, ku jetojnë rreth 4.500 shqiptarë, presidentit iu bë një pritje gati mallëngjyese.

Sapo hyri në sallë, përveç duatrokitjeve, ai u prit me himnin kombëtar shqiptar të kënduar në mënyrë spontane nga një grup emigrantësh.

Vizita e presidentit përfundon sot me një sërë takimesh si me biznesmenë, për të nxitur investimet në Shqipëri, ashtu dhe me autoritete vendore, si kryebashkiaku i Firences Matteo Renzi dhe presidenti i Toskanës, Enrico Rossi.

Top Channel