Nacionalizëm shqiptar i prodhuar në Kinë

22/11/2010 19:30

Kruja. Një qytet që ngjall kujtime për historinë e shqiptarëve dhe që tërheq qindra e qindra turistë që vijnë të shohin kalanë e Skënderbeut dhe të blejnë një kujtim, një suvenir në pazarin e famshëm të këtushëm.

Turistët blejnë e blejnë sa të mundin objekte të vogla e të mëdha, simbole kombëtare me flamuj, shqiponja dhe elementë të tjerë shqiptarë. Por ndonëse ngrenë lart lavdinë e Shqipërisë në luftën e saj kundër turqve, shumica e këtyre mallrave vijnë pikërisht nga Turqia e madje edhe nga Kina.

Tregu global s’ka ndjenja kombëtare ndaj prodhuesit e suvenirëve në Kinë dhe Turqi janë të interesuar t’u ofrojnë tregtarëve të tyre në Pazarin e Krujës gjithçka që ata dëshirojnë, qofshin ato edhe objekte që fyejnë të kaluarën e vendeve të tyre.

Por nëse turqit dhe kinezët po mbushin tregun shqiptar me objekte artizanale, kjo ndodh pjesërisht edhe sepse shqiptarët po i largohen pak nga pak këtij lloj prodhimi. Trashëgimia është ndërprerë dhe përherë e më të rrallë janë mjeshtrat e punimeve të ndryshme artizanale.  

“Vazhdon të punohet, por jo si më parë. Të rinjtë e kanë të vështirë të punojnë në mënyrë artizanale. Unë kostumet i punoj vetë dhe aty kam fitimin”, shprehet një shitëse.

Kina sidomos, është shndërruar kohët e fundit në një nga prodhuesit më të mëdhenj të krenarisë kombëtare shqiptare. I gjithë ky volum mallrash, ka një procedurë të vetën.
Kujtimi është një nga tregtarët që porosisin më rregullisht suvenire shqiptare nga Kina: “Unë punoj në komjuter foto me tematikë shqiptare dhe i dërgoj në Kinë.”

Kujtimi ka vite që tregton suveniret shqiptare, fillimisht të prodhuara në vendin tonë por ka edhe ai një arsye përse hoqi dorë dhe filloi bashkëpunimin me Kinën: “Mungesa e tregut për produktin shqiptar dhe fakti se këtu krahu i punës është më i shtrenjtë se në Kinë.”

Megjithatë ky tregtar nuk do të kishte mëdyshje që procesin e prodhimit të suvenireve shqiptare ta realizonte në Shqipëri nëse shteti do t’i krijonte lehtësira të kësaj natyre.

“Dogana është shumë e shtrenjtë për qelqin si lëndë e parë. Në të kundërt do ta hapja këtu punishten dhe makineritë do t’i kisha marrë nga Kina”, sqaron Kujtimi.

FOTO GALERI
1/3

Top Channel