Korrupsioni, Berisha: Ekziston, por e kemi ulur

22/11/2010 23:20

“Korrupsioni është një kancer, që kërkon vullnet për t’u luftuar”. Me të tilla fjalë, kryeministri Berisha, dikur mjek, përkufizoi fenomenin e korrupsionit. (UPDATE)

Kryeministri renditi si arritje të luftës kundër korrupsionit shumë reforma të ndërmarra nga qeveria demokrate pas 2005-ës, si për shembull lehtësimin e proçedurave dhe kostove për regjistrimin e një biznesi të ri, heqjen e 2/3 të liçensave dhe lejeve dhe futjen e pjesës tjetër në sistemin e një sporteli të vetëm, realizimin 100% të prokurimeve elektronike, dixhitalizimin e pranimeve në Universitete.

Por kryeministri pranoi se ka ende korrupsion në shëndetësi dhe në sistemin gjyqësor.

“Ka patur korrupsion dhe ka në shëndetësi, po ka një rënie dramatike të tij dhe studime shumë serioze faktojnë këtë që them unë. Ka patur korrupsion në sistemin e drejtësisë, por sërish dixhitalizimi i të gjithë proçeseve është shoqëruar me një rënie të padiskutueshme të këtij fenomeni”, tha Berisha.

Sipas Kryeministrit reformat janë jetike në luftën kundër korrupsionit, por nuk janë të mjaftueshme pa ndëshkimin e ligjit për aktet e korrupsionit.

“Një nga zhvillimet madhore pozitive është kaptulli i ri i hapur, jo nga një gjykatë apo prokurori anti-korrupsion, por nga një task force e kryesuar nga një prokuror fillimisht në Tiranë pastaj në rrethe e cila ia ka dalur të penalizojë zyrtarë të lartë dhe të rangjeve të tjera, mbi 200 e ca gjatë këtyre viteve”, u shpreh kryeministri Berisha.

Kryeministri u angazhua për një luftë të pandërprerë kundër korrupsionit nga ana e qeverisë së tij.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA