
Impakti krizës ekonomike në Irlandë ka qenë i menjëhershëm duke e detyruar kryeministrin Brian Cowen të deklarojë shpërndarjen e parlamentit, fillimvitin e ardhshëm duke çuar irlandezët drejt kutive të votimit.
Kryeministri Cowen ka dalë përpara gazetarëve duke deklaruar se ai nuk e ka ndërmend largimin e menjëhershëm pa mbaruar reformat financiare për të zvogluar defiçitin buxhetor dhe nisjen e menaxhimit të paketës shpëtimtare prej 90 miliardë euro akorduar nga Bashkimi Europian.
Megjithatë kryeministri irlandez ka thënë se ai do ta shpërndajë parlamentin fillimvitin e ardhshëm duke i hapur rrugë zgjedhjeve të përgithëshme.
Deklarata e Brian Cowen erdhi vetëm disa orë pasi lideri Partisë së Gjelbër, John Gormley, pjesë e koalicionit qeverisës, tha se qeveria duhet të hartojë një plan emergjence katër vjeçar, kalimin muajin e ardhshëm të buxhetit për vitin 2011 dhe më pas të shpërndajë parlamentin.
Duke shpjeguar këtë vendim John Gormley tha: “Zhvillimet e javës së fundit ishin tronditse për elektoratin irlandez. Njerëzit janë të tradhëtuar dhe të drejtuar keq”.
Partia e Gjelbër në parlamentin irlandez ka gjashtë deputetë votat e të cilëve janë të domosdoshme për të kaluar ligjet e propozuara nga qeveria e kryeministrit Brian Cowen.
Për të mos krijuar një çarje të koalicionit Cowen ka pranuar një largim të butë duke e çuar Irlandë drejt zgjedhjeve.
Top Channel