Berisha: Në Afganistan derisa NATO të ketë nevojë

22/11/2010 16:55

Trupat shqiptare, mbi 300 ushtarë e oficerë, që veprojnë në Afganistan në të gjithë sektorët, do të qëndrojnë në këtë vend derisa NATO të ketë nevojë.

Më pas, Shqipëria është gati të kontribuojë në rindërtimin e Afganistanit, sidomos në arsim. Këto angazhime u bënë publike nga Kryeministri në mbledhjen e grupit parlamentar demokrat.

Kryeministri informoi deputetët demokratë mbi pjesëmarrjen e tij në samitet e NATO-s në Lisbonë, ku u miratua koncepti i ri strategjik i Aleancës, partneriteti me Rusinë dhe një takim me vendet anëtare të partneritetit për paqe.

Në këto takime kryeministri Berisha mbrojti idenë e angazhimit të mëtejshëm të NATO-s në Kosovë dhe politikën e dyerve të hapura ndaj Ballkanit perëndimor. Këto samite, sipas kryeministrit, ishin një rast i mirë edhe për takime me krerët e shteteve dhe të qeverive, të Shteteve të Bashkuara apo të vendeve të Bashkimit europian.

Duket se kryeministri ka marrë pëlqimin verbal të kancelares Merkel dhe presidentit Sarkozy, që në një të ardhme jo të largët, ata të vizitojnë Shqipërinë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA