Topi në Itali nderon Lin Delinë

21/11/2010 19:55

Në kuadër të vizitës 3 ditore në Itali, Presidenti i Republikës Bamir Topi ka vizituar qytetin e Antrodokos, ku jetoi dhe ushtroi veprimtarinë e tij artistike piktori shqiptar Lin Delija.

Kreu i shtetit u prit nga Prefektja e Rietit, Kiara Manila, Kryetari i Bashkisë së Antrodokos, Mauricio Faina dhe autoritete të tjera të larta të pushtetit vendor, politikës, biznesit dhe kulturës së këtij qyteti, si dhe nga shumë qytetarë.

Në takimin e zhvilluar në sallën e komunës, një vëmendje e veçantë iu kushtua nga Presidenti Topi faktit se një ndër pikat kryesore të lidhjes së Shqipërisë me këtë qytet është jeta dhe vepra e piktorit Lin Delija. Kjo, sipas presidentit, dëshmon edhe një herë se dija, kultura dhe arti janë elementët më të fortë në një marrëdhënie miqësie mes popujve, që kapërcejnë çdo kufi e paragjykim.

Presidenti bëri një vlerësim të veçantë edhe për komunitetin aktual të shqiptarëve që jetojnë në këtë qytet, të cilët kanë dëshmuar vlerat më të larta qytetare duke u integruar me dinjitet në jetën e Antrodokos. Në shenjë vlerësimi Kryetari i Bashkisë së Antrodokos i dhuroi Presidentit Topi “Çelësin e qytetit”, duke shprehur besimin se miqësia e konsoliduar ndër vite historie mes dy vendeve tanë do të njohë vetëm progres.

Ky aktivitet u përshëndet edhe nga mesazhet e lexuara të Presidentit Napolitano, të Ministrit të Jashtëm Fratini dhe të Senatit italian. Gjatë kësaj vizite Presidenti Topi, i shoqëruar nga Prefektja Manila, Kryebashkiaku Faina dhe personalitete të tjera të larta të qytetit të Antrodokos, vizitoi Muzeun ku janë ekspozuar veprat e piktorit Lin Delija, të cilin presidenti Topi e nderoi pak kohë më parë me titullin nderi i kombit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA