
Aventura e Hamdi Salihit te Rapidi i Vjenës mund të përfundojë shumë shpejt. Edhe pse është transferuar te klubi i mirënjohur austriak vetëm 15 muaj më parë, sulmuesi shqiptar duket se nuk bën më pjesë në planet e trajnerit Peter Pakult.
Në fakt, ky i fundit nuk i ka kursyer kritikat për shkodranin. Tashmë klubi po mendon të hyjë në merkato, ndërsa objektivi kryesor për periudhën e janarit është sulmuesi i LASK Linz, Lukas Kragl. 20-vjeçari, i cili vlerësohet për shpejtësinë, shihet si partneri ideal i holandezit Venegor of Heselink.
Për të siguruar shërbimet e talentit austriak, stafi teknik i Rapidit po mendon që përveç parave, të përfshijë në marrëveshje edhe lojtarin kuqezi (në këtë mënyrë ai do të bëhej shok skuadre me një tjetër futbollist të Kombëtares shqiptare, Klodian Duron). Largimi i Salihit shihet si lëvizja më e mirë, pavarësisht se kuqeziu është konfirmuar si një “bomber” profilik te vjenezët: prej transferimit më 31 gusht 2009 te Rapidi, ai ka realizuar 24 gola në 35 ndeshje (mesatarisht 0.68 gola në ndeshje).
Gjatë edicionit të kaluar, 26-vjeçari realizoi 17 gola në kampionat, duke u renditur i pesti në klasifikimin përfundimtar të golashënuesve në elitën e futbollit austriak. Në këtë sezon, Salihi ka gjetur vetëm 3 herë rrugën e rrjetës në 14 ndeshje, por sërish është golashënuesi më i mirë i skuadrës.
Top Channel