Galanxhi, mbetet pezull ambasadori në SHBA

20/11/2010 08:30

Vijon të mbetet “pezull” përfaqësimi diplomatik i Shqipërisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Edhe pse procedura e zëvendësimit të ambasadorit Aleksandër Sallabanda me pasuesin e tij Gilbert Galanxhi është plotësuar në të gjitha pikëpamjet nga ana e shtetit shqiptar, sërish akreditimi i tij dhe marrja e detyrës ende nuk janë vënë në jetë.

Arsyet e këtij “pezullimi” duket se zënë fill në Uashington, ku sipas Ministrisë së Jashtme ende nuk është dhënë agrementi.

Pa këtë miratim nga ana e shtetit pritës është e pamundur që të materializohet ndryshimi në përfaqësim, i cili konkludon me dorëzimin e letrave kredenciale.

Ajo që zgjon një farë shqetësimi në këtë rast është vonesa në procedurë, pavarësisht se në kuptim të praktikës së njohur afate të këtilla konsiderohen normale.

Për palën shqiptare problemi nuk është zyrtar, pse deri më tani nuk ka asnjë rishikim, por ai gjithsesi shtrohet si problem për opinionin, duke u nisur nga përvoja e qeverisjes së drejtuar nga Sali Berisha.

Duhet kujtuar se edhe në rokadën e fundit të ambasadorëve, lidhur me emërimin e përfaqësuesit tonë në SHBA, Tirana zyrtare u detyrua të bëjë një ndryshim të orës së fundit, e detyruar nga rrethana që nuk u bënë të njohura si arsye zyrtare.

Kështu, në caktimin e Spiro Koçit si ambasador në Uashington dhe mandej zëvendësimin e tij me Gilbert Galanxhin, si argument qendror është sjellë mosdekretimi i tij nga Presidenti i Republikës, që diktoi rishikimin e kandidaturës dhe daljen në dritë të emrit të përfaqësuesit tonë në OSBE.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA