Bizhdili rrezikon tjetër dënim

20/11/2010 13:15

Pas pezullimit me tetë ndeshje nga stadiumet e futbollit, presidenti i Besës, Nexhat Bizhdili rrezikon edhe një tjetër dënim. Kjo konfirmohet nga zyrtarët e Federatës Shqiptare të Futbollit, të cilët theksuan se çështja e drejtuesit të klubit kavajas mund të shqyrtohet sërish në Komisionin e Disiplinës pas ofendimeve që ka bërë në publik në ndeshjen e javës së 11-të, ku verdhezinjtë e Gerd Haxhiut u mposhtën 1-0 në fushën e Laçit.

Të mërkurën, Disiplinori kishte vendosur ta pezullonte me tetë ndeshje Bizhdilin dhe e gjobiti me 500 mijë lekë të reja për sjelljen jo korrekte ndaj zyrtarit të ndeshjes (tentativa për të goditur gjyqtarin Ermion Sino me tavllë duhani nga tribuna e stadiumit). Ndëshkimet e dhëna nga KD-ja janë cilësuar si minimale, ndërkohë që rregullorja i jep të drejtë federatës që të apelojë masat e marra ose të kërkojë rishqyrtim të çështjes.

Kjo, edhe për faktin se ky institucion zotëron pamjet filmike, me të cilat pezullimi për njëshin e skuadrës kavajase mund të jetë edhe më i madh. Duke qenë se zyrtarët e FSHF-së nuk arritën t’i paraqisnin në kohë materialet për këtë çështje në Apel (në mbledhjen e djeshme të këtij komisioni çështja “Bizhdili” nuk është trajtuar), ata pritet që ta kalojnë sjelljen e drejtuesit kavajas sërish në Disiplinë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA