Rama kokë më kokë me Fule

19/11/2010 23:20

Zgjidhja e ngërçit politik ishte në qendër të bisedës që kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama dhe Komisioneri për Zgjerim, Stefan Fule zhvilluan për mëse një orë në Bruksel. (UPDATE)

“U diskutua për ofertën e re të Partisë Socialiste dhe zgjidhjen e qartë që kjo ofertë përmban. Unë dua të nënvizoj vullnetin tonë të plotë për t’i dhënë fund një krize që në këndvështrimin tonë e ka shkaktuar dhe e thellon çdo ditë Sali Berisha me kokëfortësinë e kthyer në një mur që pengon transparencën dhe zgjidhjen e krizës”, deklaroi pas takimit kryetari socialist, Edi Rama.

Të kontaktuar nga Top Channel, zyra e e Komisionerit Fule pranoi se “situata politike e krijuar, veçanërisht, pas publikimit të opinionit të Komisionit, është trajtuar nga të dy palët dhe se Komisioneri ka dëgjuar me vëmendje detajet e iniciativës së  fundit të kryesocialistit Rama për zgjidhjen e ngërçit politik”.

Zyrtarisht, njoftohet se Stefan Fule ka deklaruar se shpreson që palët të bien në kompromis së shpejti, në mënyrë të tillë që të bëjnë ndërhyrjet e nevojshme në Kodin Elektoral për të garantuar që zgjedhjet e radhës të jenë të lira e të ndershme. Kjo gjë konfirmohet dhe nga burime të tjera konfidenciale, të pranishme në këtë takim, sipas të cilave, në pjesën më të madhe të kohës Komisioneri ka dëgjuar argumentimet e dhëna nga lideri i opozitës shqiptare, kryesisht,  mbi zgjidhjen e ngërçit politik.

“Dua të uroj që tanimë është koha që edhe pala tjetër, edhe Sali Berisha të reflektojë mbi këtë domosdoshmëri në interes të vendit, në interes të shqiptarëve, në interes të axhendës së integrimit për të krijuar kushtet që reforma e re zgjedhore të mos jetë një tjetër ligj i bukur në letër dhe i paimplementuar në realitet, por të jetë shprehje e vullnetit të palëve për transparencë dhe njëkohësisht të reflektojë edhe gjetjet e këtij hetimi pa të cilin nuk mund të ketë reformë zgjedhore dhe as zgjedhje në Shqipëri që do të ishte dramatike”, tha më tej Rama.

Kjo është hera e parë që lideri i opozitës Rama pritet në zyrën e Komisionerit Fule. Në fillim të javës Komisioneri për Zgjerim ishte përkrah kryeministrit Berisha në një panel të organizuar nga Partitë Popullore Europiane në Parlamentin Europian, por nuk pati takim të posaçëm me shefin e ekzekutivit shqiptar.

Takimi i fundit i Komisionerit me përfaqësues të qeverisë daton më 15 tetor, kur në Bruksel ishte Ministri i Jashtëm, Edmond Haxhinasto.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA