Kuzhe do një Shqipëri sulmuese

19/11/2010 12:00

Ka regjistruar një ecuri të mirë me Shqipërinë, ndër më të mirat në histori. Por ende nuk ndihet plotësisht i realizuar në atë që ai beson se si duhet luajtur futboll.

Ky është Josip Kuzhe, trajneri i Kombëtares sonë, i cili kërkon ta transformojë përfaqësuesen nga një skuadër që mbrohet, në një ekip që sulmon. Kjo filozofi e teknikut kroat nënkupton se ai e dashuron futbollin spektakolar dhe se fitoret nuk vijnë ndryshe, vetëm se duke i sulmuar kundërshtarët në “folenë” e tyre.

Ekipi i ndërtuar prej tij është shndërruar në një formacion shumë të vështirë për t’u mundur thuajse nga kushdo. Këtë e ka demonstruar edhe në përballjet e rëndësishme, si ato ndaj Rumanisë e Bosnjës në këtë ndeshje të para eliminatore. Të gjithë e kanë vënë re se fytyra e Shqipërisë ka ndryshuar. Tani nuk mbron më barazimin 0-0, apo të “kënaqet” edhe me humbjet minimale.

Madje në ndeshjet ku e kanë parë veten në dizavantazh, kuqezinjtë kanë reaguar duke e vënë në pozita të vështira kundërshtarin, cilido që ka qenë ai. Por ende është larg vizionit të trajnerit, i cili beson se në të ardhmen, pse jo deri në përfundim të mandatit të tretë (të cilin me shumë mundësi e ka fituar me “dhunë”, përjashto ndonjë surprizë të pakëndshme), do të ketë mundësi ta bëjë realitet.

Në arenën ndërkombëtare, sidomos kur drejtonte ekipin e njohur kroat, Dinamon e Zagrebit, është i njohur si një trajner që e adhuron stilin e lojës sulmuese. Si të tillë e përcakton veten dhe vetë Kuzhe. Por edhe pse në Shqipëri nuk ka gjetur ende arsenalin e duhur për ta bërë shpejt një gjë të tillë, ai është një objektiv i tij për të ardhmen.

“Dëshiroj të bëj lojë sulmuese me Shqipërinë, pasi ky është stili im, ai stil loje që më pëlqen”, ka theksuar së fundmi Kuzhe. Por për ta bërë këtë i duhen edhe futbollistët e nevojshëm, të cilët do të mund të ekzekutonin idetë e tij për manovrën sulmuese të Shqipërisë. “Do përpiqem ta ndryshoj Shqipërinë, që zakonisht luan në mbrojtje, sqaroi më tej trajneri i kuqezinjve. Do ta provoj, por po përpiqem të gjej lojtarët e duhur”.

Qëllimin e parë e ka arritur. Ka eliminuar thuajse plotësisht një nga pikat më të dobëta të përfaqësueses sonë: mbrojtjen. Me Currin, Canën, Dallkun e Vangjelin në mbrojtje, Lalën, Bulkun e Lilë të tërhequr në mesfushë, dhe shumë alternativa në stol, kroati duket se e ka zgjidhur repartin difensiv, i cili po jep garanci gjithnjë e më shumë nga ndeshja në ndeshje.

Ndërsa përveç sulmuesve, Bogdani, Salihi, Kapllani dhe mesfushorëve ofensivë, Skela e Duro, tekniku po promovon edhe disa të rinj të tjerë si Hyka, Muzaka, Vila, Bakaj, Memushaj e Januzin. Për të përforcuar faktin që e dashuron lojën sulmuese, vetë Kuzhe thekson se ai dhe Niko Kranjçar janë përcaktuar si të tillë nga opinioni i gjerë futbollistik në Kroaci.

Bashkëkombësi i tij Kranjçar, aktualisht drejton Kombëtaren e Malit të Zi, e cila po bën një ecuri të mirë në eliminatoret e fundit të Euro 2012. Vetë Kuzhe nënvizon se miku i tij duket se e ka ndryshuar disi pllakën që kur është në pankinën malazeze: “Tani me Malin e Zi ai po luan në mbrojtje, dhe meritën, që kjo skuadër po ecën kaq mirë e ka trajneri, jo ekipi”, përfundon Kuzhe, i cili vazhdon të besojë se nuk do të jetë e largët kur të gjithë të shikojnë në fushë Shqipërinë e tij sulmuese.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA