Iniesta: Do më pëlqente “Topi i Artë”

19/11/2010 21:35

Mesfushori i Barcelonës, Andres Iniesta, pranon se do i pëlqente të fitonte “Topin e Artë”, por nuk është fiksuar pas çmimit prestigjoz.

“Kush jam unë për të thënë që meritoj Topin e Artë? Do gënjeja po të thoja që nuk më bëhet vonë se kush e merr çmimin, por nuk jam i fiksuar. Thjesht të jesh në listën prej 23 kandidatësh për fitimin e tij është një gjë e mirë”, u shpreh Iniesta në një intervistë për ‘L’Equipe’.

Lojtari i Barcelonës mohoi që fakti se ka shënuar golin e fitores për Spanjën në finalen e Botërorit është argument i mjaftueshëm për fitimin e çmimit të futbollistit më të mirë: “Nuk besoj se Topi i Artë fitohet me një gol. Goli im ishte rezultat i shumë faktorëve. Mendoj se Xavi, Messi, Snejder dhe Casillas janë kandidatë po aq të fortë për fitoren finale.”

Edhe pse është një nga favoritët për Topin e Artë, Iniesta deklaron se sezoni 2009-2010 ishte më i keqi i karrierës së tij: “Nuk munda të nisja sezonin për shkak të një dëmtimi që pësova që në finalen e Romës në Ligën e Kampioneve. Më pas pësova një dëmtim tjetër që nuk më lejoi të luaja në Botërorin e Klubeve. Në prill, një tjetër që më la 10 ditë jashtë fushave dhe më pas një dëmtim të rëndë që më la pa luajtur për gjashtë javë.”

Gjithashtu Iniesta shtoi se pati “disa probleme personale të vështira” dhe se psikologjikisht nuk ndihej mirë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA