Berisha: Besim tek heqja e vizave

19/11/2010 19:50

Kryeministri Sali Berisha ka pritshmëri të mëdha nga liberalizimi i vizave.

Duke qenë se në të ardhmen biznesmenët shqiptarë nuk do të kenë më probleme gjatë udhëtimeve të tyre jashtë vendit, kryeministri i krahason efektet e liberalizimit të vizave me një transfuzion gjaku për ekonominë shqiptare.

Këto deklarime, kryeministri i ka bërë gjatë një interviste për agjencinë austriake të lajmeve, APA.

Intervista është shpërndarë për mediat shqiptare nga zyra e shtypit e kryeministrit dhe përveç vizave, prek edhe çështjen e statusit të vendit kandidat.

Për statusin, kryeministri nuk ka dhënë ndonjë afat konkret se kur mund të merret.

Kryeministri ka fajësuar për mosmarrjen e statusit shefin e opozitës.

Sipas kryeministrit, që citohet nga agjencia austriake APA, kjo zgjedhje e Edi Ramës u bë për të dëmtuar Shqipërinë.

Por, sërish sipas fjalëve të tij, ndërmjet tij dhe zotit Rama ka një bazë bisedimesh, por pa shtjelluar më tej këtë argument.

Në fund të intervistës për agjencinë austriake të lajmeve, i pyetur se sa gjatë do ta drejtojë ai Shqipërinë, kryeministri Berisha, aktualisht 66 vjeçar, shprehet ështe i sigurt se ai do të marrë pjesë në zgjedhjet e ardhshme.

“Dhe kur shqiptarët të votojnë për mua, – është shprehur ai – unë do ta drejtoj sërish qeverinë”.

Top Channel