Shaska paralajmëron lëvizje me studentët

17/11/2010 08:00

Tanush Shaska, i njohur si rektori revolucionar, por edhe konsideruar si drejtuesi që administronte problemet e Universitetit të Vlorës, më shumë me korrespondencë, pritet të përfshihet në politikë.

Po ashtu, pavarësisht dorëheqjes së tij, ish-kreu i “Ismail Qemalit” do të vazhdojë të jetë pjesë e këtij institucioni të lartë arsimor, pasi si pedagog ka të drejtë të japë orë leksionesh e seminaresh sipas programit të përcaktuar mësimor.

Gjatë 48 orëve të fundit, rektori Shaska ka postuar në mënyrë elektronike deklarata e akuza të forta për pjesëtarë e deputetë të Partisë Demokratike, për qeverinë aktuale e për ministrin e Arsimit. Sipas tij, ai ka qenë në shënjestër për t’u eliminuar ashtu si disa persona të tjerë në Vlorë, të cilët nuk përmbushnin pritshmërinë e kësaj qeverie.

Shaska u ka sqaruar edhe një herë dashamirësve e studentëve që tashmë vendimi për largim është marrë e është menduar mirë, por kontributi i tij në organizimin e Universitetit të Vlorës dhe drejtimin e studentëve do të jetë edhe më i madh se më parë.
 
“Unë nuk e quaj normal ambientin në të cilin unë kam punuar në Vlorë. Para shumë muajsh militantët e PD-së në Vlorë, në mënyrë të hapur deklaruan se plani i kreut të tyre, zotit Kollozi, për të dominuar jetën politike të qyteti, ishte eliminimi i kryetarit të qarkut, zotit Agron Sharra; eliminimi i prefektit të qytetit, zotit Hasan Halili, eliminimi i rektorit të universitetit.

Këto i kishte kërkuar zoti Kollozi Kryeministrit që të merrte bashkinë nga Shpëtim Gjika. Strategjia ishte e qartë, dominim i institucioneve më të rëndësishme të qytetit, për t’i përdorur këto si mjete politike dhe fushatë për interesat e PD-së, por më shumë për interesat personale të zotit Kollozi”, shkruan Tanush Shaska në mënyrë elektronike.

Sipas tij, asgjë s’ka për t’i ndaluar këta të babëzitur, as protestat e një fshati të tërë në Dukat, as pakënaqësia e një qyteti të tërë, as neglizhimi total i votuesve të Vlorës për këta persona.

“Ata do të vazhdojnë deri në fund pa pyetur as për Vlorën, as për PD-në, as për pronat e ligjshme, as për universitetin. Për këtë u inskenuan mjaft gjëra kundër meje, deri në gjyqe false me studentë, në akuza nga më qesharaket, u përdor gjykata dhe prokuroria gjatë gjithë kohës për të bërë një terror psikologjik dhe për të më mposhtur mua dhe UV-në. Përpjekje të tilla vazhdojnë nëpërmjet gjykatës për raste që do të konsideroheshin qesharake edhe në vendet më të humbura të Afrikës”, vijon më tej Shaska, duke sqaruar se me gjithë kontaktet e vazhduara me ministrat, Kryeministri nuk ka pasur asnjë lloj reagimi.

Këto kanë qenë disa nga arsyet që e kanë nervozuar Shaskën dhe rrjedhimisht kanë sjellë dorëheqjen, por edhe mobilizimin për të mos ndryshuar asgjë nga sistemi i implementuar në Universitetin e Vlorës dhe në funksionimin e këtij institucioni. “Në këto kushte, funksionimi im si rektor i Universitetit të Vlorës bëhet i pamundur. Unë nuk besoj se kjo qeveri mund të më sigurojë ndonjëherë kushtet minimale të punës, çfarëdo që të premtojnë. Është më mirë për UV-në dhe për mua personalisht që unë të mos jem më rektor i UV-së.

Top Channel