
Bashkimi Evropian ka hyrë në një “krizë mbijetese” për shkak të problemeve që kanë me deficitin disa vende të eurozonës.
Deklarata është bërë nga vetë presidenti i BE, Herman van Rompuy, vetëm pak orë para takimit të ministrave të vendeve anëtarë për të diskutuar mbi stabilitetin ekonomik.
Van Rompuy ka bërë thirrje për bashkëpunim, pasi sipas tij, nëse euro falimenton, të njëjtin fat do të kenë edhe vendet anëtare të BE.
“Besoj se problemet mund të kapërcehen. Ne duhet të punojmë së bashku në mënyrë që të mbijetojë eurozona. Sepse nëse nuk mbijeton eurozona, nuk do të mbijetojë as BE-ja”, ka pohuar Van Rompuy.
Vende anëtare si Republika e Irlandës dhe Portugalia ndodhen nën një mbikëqyrje të rreptë. Pyetje të shumta janë ngritur nëse ato mund ta menaxhojnë deficitin e tyre pa u ndihmuar nga BE.
Nga ana e saj, Republika Irlandeze insiston se nuk ka nevojë për fonde, por druhet se si ajo, ashtu edhe Portugalia do të detyrohen të përdorin paratë e BE për të dalë nga kriza.
Top Channel