
Presidenti i Republikës Bamir Topi uron besimtarët myslimanë shqiptarë Festën e Kurban Bajramit nëpërmjet një mesazhi dërguar Bashkësisë Myslimane Shqiptare dhe Kryegjyshatës Botërore të Bektashinjve.
“Me rastin e Festës së Kurban Bajramit ju uroj përzemërsisht shëndet, begati, mbarësi e harmoni në familjet tuaja, mes miq e njerëzisht të dashur, mes shpresës dhe gëzimit për një të ardhme më të mirë dhe të sigurt për ju dhe fëmijët tuaj. Kjo ditë e shenjtë në kalendarin islamik i mbush zemrat e gjithësecilit besimtar mysliman me dëshirën për të kryer vepra fisnike, për t’i qëndruar pranë njëri-tjetrit me ndjenjën e mirëkuptimit, sakrificës dhe të solidaritetit, në ditë të mira e të vështira, me lutjen që besimi tek i Plotfuqishmi, respektimi i vullnetit të tij, të na ndihmojë, të gjithë ne shqiptarëve, për të kapërcyer sfidat më të vështira të jetës dhe për të ruajtur zakonet dhe traditat e paraardhësve tanë”, tha Topi.
Kreu i vendit shprehu bindjen se vlerat morale, mendimet e ndritura dhe qëllimet e dobishme do t’i shërbejnë synimit të përbashkët për ruajtjen dhe transmetimin në breza të trashëgimisë sonë të vyer të harmonisë dhe të tolerancës fetare.
Top Channel