Gjykata, arrest shtëpie gardistit

16/11/2010 20:00

Gjykata e Tiranës ka vendosur masën e arrestit shtëpiak për gardistin Fatos Skeja, i arrestuar fundjavën e kaluar dhe i akuzuar për vrasje të mbetur në tentativë.

Skeja ka qëlluar me armë një kamarier në një lokal të njohur në periferi të Tiranës, i cili nuk është përfshirë si lajm në komunikatën zyrtare të policisë.

Kjo, sipas disa burimeve, për shkak të detyrës së tij si pjesë e grupit të shoqërimit të familjes së kryeministrit.

E vetmja komunikate zyrtare ka qenë ajo e Gardës së Republikës, që pranon se Skeja është punonjës i gardës, por jo pjesë e grupit të shoqërimit.

Sipas burimeve të besueshme të TCH, gardisti Skeja ka debatuar me të riun se përse ai nuk i kishte pastruar tavllën. Më pas Skeja mendohet dhe dyshohet ta ketë qëlluar tre herë me pistoletë sapo ai ka kthyer shpinën.

Ajo që bie në sy është fakti se në seancën për masën e sigurisë, prokuroria kërkoi arrest me burg pa afat, ndërsa gjykata vendosi vetëm arrest shtëpie për Skejën.

Pavarësisht se për ngjarje të tilla dhe akuza të tilla si ajo e vrasjes në tentativë nuk rezulton se gjyqësori ka dhënë ndonjëherë masë sigurie me arrest shtëpiak, por vetëm me burg.

TCH shkoi në Spitalin Ushtarak ku po mbahet viktima e ngjarjes, Shpati Ruci po kurohet në sektorin e kirurgjisë pas një operacioni në reanimacion.

Gazetarët e TCH kontaktuan me të plagosurin, por ai tha jashtë kameras se nuk mbante mend asgjë nga ngjarja.

Faktikisht ndryshimi i qendrimit të të plagosurit ka lënë më shumë pa fjalë prokurorët e çështjes.

Në një letër të dërguar këtë të martë në prokurori nga vetë i plagosuri, letër e cila është lexuar edhe në gjykatë gjatë caktimit të masës së sigurimit për të pandehurin, thuhet se s’mbante mend as emrin e autorit dhe as portretin e tij.

Por ndërsa pak ditë më parë vetë i plagosuri ka dëshmuar në polici dhe prokurori me detaje portretin e autorit dhe se çfarë kishte ndodhur në lokal, nuk dihet akoma se përse Shpati Ruci ka ndryshuar qendrim, megjithatë edhe kjo pritet të zbardhet nga prokuroria e Tiranës.

Ajo që pritet është ekspertiza e armës së gjetur në vendngjarje, ndërkohë që prokurorët duket se kanë prova të mjaftueshme dhe dëshmitarë për të mbështetur versionin e tyre për vrasje me paramendim të mbetur në tentativë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA