
Procesi i kasave fiskale nuk do të thotë vetëm të shesësh pajisjen, të fitosh ca para nga e drejta që të është dhënë, por duhen respektuar një sërë rregullash të forta që synojnë në radhë të parë shërbimin cilësor që shoqëria e autorizuar duhet t’i ofrojë biznesit, si dhe një kontroll më të fortë ndaj spekulantëve që pretendojnë se kanë licencë.
Duke marrë shkas nga rastet e shumta të denoncimit, por edhe nga disa paqartësi që ofron ligji aktual i “Procedurave tatimore”, te pjesa e dënimeve administrative ndaj shoqërive që merren me instalimin e kasave, Ministria e Financave ka përgatitur një draft-projektligj mbi disa ndryshime që rrisin masën e kontrollit dhe ndëshkimit.
Konkretisht janë dy nene të ligjit 122 dhe 123, që pritet të ndryshojnë, të cilat flasin për kuponin tatimor të printuar nga kasa dhe dënimet ndaj shoqërive të autorizuara dhe atyre që nuk janë nga Ministria e Financave lidhur me ofrimin e instalimit dhe shërbimit.
Gjobat nisin nga 500 mijë lekë e deri në 1 milion lekë të reja dhe prekin bizneset që nuk kanë të drejtë t’i instalojnë kasat fiskale pa qenë të autorizuara, sikurse ndëshkohen edhe ato shoqëri, të cilat edhe pse kanë leje për ta instaluar kasën te biznesi, por për shkak të mosrespektimit të kontratave (si shërbimi, mirëmbajtja etj.), janë të përfshira në sferën e dënimeve administrative.
Një tjetër ndryshim i rëndësishëm është shfuqizimi i pikës në nen që i detyronte bizneset të mbanin nga një kasë rezervë.
Top Channel