Daul sulmon KE, mbron Berishën

16/11/2010 19:50

Partia Popullore Europiane sulmon Komisionin Europian se nuk ka punuar siç duhet për opinionin ndaj Shqipërisë.

Kreu i grupimit të djathtë europarlamentar, Joseph Daul, gjatë një konference të përbashkët për shtyp, gjatë së cilës u pozicionua në mbrojtje të kryeministrit Sali Berisha, tregoi se zyrtarët e Komisionit, megjithëse delegacioni është instaluar në Tiranë që në fillim të viteve ’90, nuk  e njohin situatën pasi nuk kanë diskutuar me palët, sikundër vetë zoti Daul mundi të realizojë me një vizitë të vetme pak kohë më parë në Shqipëri.

“Kur shoh që në disa vende si Shqipëria, opozita refuzon të bëjë punën e saj e të ulët në Kuvend, duke bllokuar kështu gjithë legjislacionin e nevojshëm që duhet përshtatur me praktikat europiane, them ‘STOP’, nuk mund të vazhdojë më kështu. Unë kam qenë atje, kam biseduar me grupe të ndryshme, edhe me socialistët. Kemi tentuar edhe me Martin Shulc që të ndryshojmë gjendjen, por meqë nuk zhgënjehem kurrë, ju bëj thirrje të gjitha forcave politike, që të marrin përsipër përgjegjësitë e tyre, sepse e ardhmja e vendit të tyre është në lojë. Sinqerisht dua të shtoj se mungon paksa respekti ndaj shtetit ligjor dhe demokracisë, në mënyrë të tillë që të funksionojë. Duhet që demokracia të funksionojë. Asnjëherë nuk e kam kuptuar sesi mund të bojkotohet parlamenti. Opozita është opozitë e kjo është demokracia. E di shumë mirë që në disa raste është e vështirë për t’u jetuar e zbatuar, por kjo duhet të funksionojë. Ju bëj thirrje gjithë partive politike që të dëshmojë përgjegjësi. Personalisht, siç e dini jam i sinqertë gjithmonë, kur pashë raportin e fundit të Komisionit, mund t’ju them se ata që e kanë shkruar raportin, nuk kanë udhëtuar shumë e nuk kanë diskutuar shumë me forcat politike në vend, veçanërisht në Shqipëri. E them këtë ashtu siç e ndjej dhe jo pse kryeministri është ketu”, është shprehur Daul.

Kryeministri Sali Berisha uroi fillimisht besimtarët myslimanë e dha një pasqyrë të shkurtër të arritjeve të qeverisë së tij, kryesisht në fushën ekonomike. Ai deklaroi para gazetarëve se nuk ndryshon qendrimin e deritanishëm ndaj opozitës përsa i takon ngërçit politik.

I pyetur nëse qeveria, sikundër dhe opozita, ishin të ndërgjegjshëm se Shqipëria është vendi i parë në Ballkan që merr një opinion negativ nga Komisioni në kërkesën  për të fituar statusin kandidat, e nëse ai ishte i vetdijshëm për dëmin që i është shkaktuar vendit me këtë opinion, kryeministri Berisha përcolli përgjegjësinë ndaj opozitës.

“Marrëdhëniet me komisionin bazohen në transparencë. Ne marrim gjithçka seriozisht. Meqë proçesi është i tillë, ajo që veçohet si më transparente, është sjellja e qeverisë ndaj opozitës. Asnjëherë nuk mund të pranojë atë që nuk e kam bërë unë. I ofruam opozitës gjithçka që ne mund t’i ofronim”, tha Berisha.

I pyetur sesi ndihej kur pas 6 vitesh në pushtet, vlerësimi i Komisionit flet për korrupsion, përkeqësim të pavarësisë së gjyqësorit dhe lirisë së medias, kryeministri Berisha argumentoi se lufta ndaj korrupsionit është suksesi më i madh i qeverisë së drejtuar prej tij. Kjo gjë madje u kurorëzua, sipas tij dhe me çmimin e OKB-së për transparencë. Por ndërsa duhej të komentonte vetëm mbi kontrollin e qeverisë ndaj medias, e jo atë të opozitës, kryeministri i zhgënjyer ju kthye gazetarëve:

“Ju keni humbur tërësisht sensin për vendin tuaj. E për këtë më vjen keq”, është shprehur ai.

Megjithatë shefi i mazhorancës deklaroi se në parim mbetej “dashnori i fjalës së lirë”, siç u shpreh ai.

Kryeministri Berisha ndodhet për një vizitë një ditore në Parlamentin Europian, ku po mbahet konferenca e nivelit të lartë e PPE-së me temë “Ballkani në zemër të Europës”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA