Dëmtohet edhe Cana

16/11/2010 12:10

Pas refuzimit të Erjon Bogdanit, lënies jashtë të Erjon Kapllanit dhe dëmtimeve të Arjan Beqajt e Ervin Skelës, në prag të miqësores me Maqedoninë, Shqipëria ka humbur një tjetër lojtar titullar.

Bëhet fjalë për mesfushorin Lorik Cana, i cili nuk i është bashkuar grumbullimit të Kombëtares, për ndeshjen e nesërme në Korçë. 27-vjeçari ka pësuar një dëmtim serioz në kavilje, që e bën të pamundur paraqitjen e tij nën urdhrat e trajnerit Josip Kuzhe. Klubi turk i Gallatasarait bëri të ditur se Cana ka dëmtuar një ligament të kaviljes, ndërsa koha për rikuperimin e tij mendohet të jetë të paktën tri javë.

“Dëmtimi në kavilje i Lorik Canës në ndeshjen kundër Manisasporit rezultoi se ishte një problem me ligamentin”, pohuan burime zyrtare të gjigandëve turq. “Prej këtij lëndimi, mesfushori do të jetë i detyruar që të qëndrojë të paktën tri javë jashtë fushave të lojës, ndërkohë që ai nuk do të jetë në gjendje t’i bashkohet grumbullimit të përfaqësueses shqiptare për ndeshjen e radhës. Cana ka nisur menjëherë rehabilitimin për këtë dëmtim”.

Lojtari kuqezi u aktivizua si titullar në ndeshjen e javës së 12, ku Gallata humbi 0-2 në shtëpi përballë modestëve të Manisaspor. Ai qëndroi në fushën e lojës për 77 minuta, përpara se të zëvendësohej nga Emre, ndërsa vetëm 120 sekonda më parë kishte shkaktuar penalltinë që i dha miqve golin e dytë. Mungesa e Canës në miqësoren me Maqedoninë është konfirmuar edhe nga Federata Shqiptare e Futbollit. “Ju njoftojmë se mesfushori i ekipit Kombëtar, Lorik Cana, nuk do të jetë i pranishëm për ndeshjen ndaj Maqedonisë, si pasojë e një dëmtimi të pësuar në kavilje gjatë ndeshjes se kampionatit turk, Gallatasarai-Manisaspor”, theksonte institucioni që drejton futbollin në vend.

Lorik Cana bëhet lojtari i fundit që i shtohet listës së mungesave për ndeshjen e Shqipërisë, e cila është e fundit për vitin 2010. Pas Debatik Currit, i cili është operuar në gju, trajneri Kuzhe u detyrua që të hiqte dorë nga portieri Arjan Beqaj, edhe ky i dëmtuar.

Drejtuesi i stolit kuqezi pranoi kërkesën e sulmuesit Erjon Bogdani për të qëndruar pushim, ndërkohë që në ditën e parë të grumbullimit, fantazisti Ervin Skela ka pësuar një dëmtim në kavilje, i cili e bën të pamundur aktivizimin e vlonjatit të mërkurën. Në dyshim serioz është edhe mesfushori i krahut të majtë, Gilman Lika, i cili është paraqitur i dëmtuar në përfaqësuese pas aktivizimit në ligën e dytë turke me Diarbakispor.

Pavarësisht problemeve të Canës, Skelës e Likës, të cilët ishin përfshirë në kontingjentin me 21 lojtarë të përzgjedhur për testin me Maqedoninë, trajneri Kuzhe ka vendosur që të mos afrojë asnjë lojtar tjetër. Për ndeshjen në Korçë, ai do të ketë në dispozicion 18 lojtarë, ndërsa pjesa më e madhe janë të rinj. Nga formacioni titullar në dispozicion kanë mbetur mbrojtësit Dallku e Vangjeli, mesfushorët Altin Lala, Ervin Bulku, Ansi Agolli e Klodian Duro, si dhe sulmuesi Hamdi Salihi. Pjesa tjetër e skuadrës janë futbollistë të rinj, të cilët do të kenë shansin të paraqesin vlerat e tyre dhe të tregojnë se janë të vlefshëm për kuqezinjtë në kualifikueset e euro 2012.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA