
Ka mbërritur në ditën e fundit edicioni i 13-ë i panairit të librit, që u zhvillua këto ditë në Tiranë.
Sipas organizatorëve të tij, atë e kanë vizituar rreth 60 mijë persona, pa llogaritur këtu pjesëmarrjen e të rinjve.
Numri i këtyre të fundit ka qenë i lartë, c’ka dëshmon nje fakt pozitiv: atë të afrimit të moshave të reja me librin.
Veprat e shitura kanë qenë rreth 200.000. Sipas Shoqatës së Botueseve, kjo shifër dëshmon një rritje të vizitave krahasuar me vitet e kaluara. Gjinia më e blerë ka qenë ajo e letërsisë artistike.
Në këtë edicion kanë marrë pjesë edhe shumë të huaj, me të cilët janë shkëmbyer eksperienca pune.
“Kishim botues nga Bullgaria, Sllovenia, Kroacia, Turqia e Maqedonia, të cilët patën takime me botuesit shqiptarë. Shumë e rëndësishme ishte gjithashtu prania e përfaqësuesve të panairit të Lajpcigut”, ka deklaruar kryetari i shoqatës, Petrit Ymeri.
Shoqata e Botuesve u ankua për koston e lartë të organizimit të këtij edicioni, duke e konsideruar si më të shtrenjtin, ndërsa blerësit nga ana e tyre nuk mbetën të kënaqur me cmimet e librave.
Në ndihmë të tyre ka dalë Shoqata për Mbrojtjen e Konsumatorit. “Unë shfrytëzoj rastin për të denoncuar një numër të madh shtëpish botuese që financohen nga ambasada të huaja dhe donatorë dhe prap mbajnë cmime shumë të larta”, ka deklaruar Altin Goxhaj.
Kjo shoqatë dha disa cmime: për cmimin e shitjes më të mirë shtëpinë botuese “Dituria” dhe për cilësinë e mirë të botimit shtëpive botuese “Eduard”, “Mediaprint” dhe “Ombra GVG”.
Panairi i librit të Tiranës është aktiviteti më i rëndësishëm për librin në Shqipëri. Në këtë edicion të 13-ë morën pjesë 80 shtëpi botuese.
Top Channel